AlbanianSport.com 04/04/2022 19:25
ASNN – Italia ka qenë një strehë për shqiptarët në momente të vështira dhe aty tani po dalin edhe shumë futbollistë të rinj, që e dinë origjinën e tyre dhe ëndërrojnë që një ditë të veshin fanellën e kombëtares shqiptares. Mes tyre është edhe 17-vjeçari Ardit Lika, pjesë e kombëtareve të moshave kuqezi që kaluar në shtator të vitit 2021 nga Livorno te Sampdoria. Arditi është rrëfyer në rubrikën “Talenti Shqiptar” të faqes zyrtare në Internet të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe tregon se si nisi të luajë futboll. “Unë fillova me futbollin kur isha shumë i vogël”, – rrëfen sulmuesi i krahut të majtë, i cili mund të luajë edhe në krahun tjetër.
“Luaja jashtë shkollës me fëmijë të tjerë dhe personi që më shtyu më shumë ishte gjyshi im, babai i nënës”, – shton Lika, i cili, më tej thekson se pasioni e shtyn shumë atë që të ecë përpara, ndërkohë flet edhe për njeriun që e këshillon më shumë. “Gjëja që më motivon më shumë është pasioni për këtë sport, që e kam pasur që i vogël, thotë futbolli i ri. – Personi që më këshillon më shumë është babai im. Ai është më afër meje.” Ai ka qenë pjesë e Shqipërisë së Nën-18-vjeçarëve në miqësoren kundër Italisë. “Herën e parë që u thirra në Kombëtare isha shumë i lumtur dhe entuziast”, tregon Ardit Lika.
Ai ka diçka për të cilin është krenar deri më tani, veç faktit që provoi të luajë me kuqezinjtë e drejtuar nga Ardi Behari. “Jam shumë krenar që kam ardhur në një klub të rëndësishëm si Sampdoria”, – thotë sulmuesi i ri. Sampdoria nuk është një klub pa lidhje me shqiptarët dhe njërin prej atyre që ka luajtur aty, Rei Manajn, Arditi e ka si motivim. Po te Sampdoria ka qenë edhe një tjetër i ri që po spikat këtë sezon me Tirol në Austri dhe është nën kontratë me Juventusin. Bëhet fjalë për Xhakomo Vrionin. “Lojtari shqiptar që më motivon më shumë është sulmuesi Rei Manaj”, – shton sulmuesi i majtë.
Më pas, ai kalon kufijtë dhe na tregon si cili lojtar i huaj e motivon atë. Sigurisht i pëlqen shumë stili i lojës dhe teknika që ka. “Lojtari i huaj që më motivon është Neymar”, – vijon rrëfimin Lika. Synimet Arditi i ka të qarta dhe ka diçka që ai do e donte shumë. Në fakt jo vetëm ai, por çdo i ri shqiptar që merret me sportin e bukur të futbollit. “Jam shumë i lumtur që numri i lojtarëve shqiptarë në Serinë A është gjithnjë e më i madh. Kjo më jep shumë besim, duke shpresuar që një ditë të arrij aty ku janë, – thotë 17-vjeçari. – Mendoj se Shqipëria ka një të ardhme shumë të rëndësishme në vitet e ardhshme.”
“Kjo, duke parë se sa shumë shqiptarë luajnë në kampionate të rëndësishme në Europë. Qëllimi im më i madh është të luaj në Serie A dhe në kombëtare”, – përfundon rrëfimin e tij Ardit Lika, i cili mezi pret grumbullimin dhe ndeshjen e radhës me fanellën kuqezi.