AlbanianSport.com 07/03/2019 16:35
ASNN – Mbrojtësi shqiptar Ansi Agolli ka marrë interesimin e një klubi amerikan dhe nuk është një klub dosido. Bëhet fjalë për Njo Jurk Kozmos, skuadrës së famshme që ka pritur në gjirin e saj edhe madhështorin brazilian Pele, në kulmin e tij në vitet 70-të.
Në këtë rast, bëhet fjalë për një transferim që mund të kryhet brenda këtij muaji, pasi dihet që merkato në Amerikën e Veriut bëhet në këtë periudhë. Nju Jurk Kozmos ka mbledhur të dhëna për futbollistin dhe dëshiron të kthehet i madh në kampionatin amerikan MLS (Major League Soccer).
Në fakt, bëhet fjalë për një skuadër të re me dokumente, pasi është rithemeluar në vitin 2010, por emri është i njëjtë me atë që ka luajtur Peleja i madh. Madje president nderi i klubit është pikërisht legjendari brazilian. Mbrojtësi Ansi Agolli është në kontratë me Karabagun në kampionatin elitar të Azerbajxhanit.
Por ai mund ta shkëpusë marrëdhënien e tij me klubin nisur nga reputacioni që ka dhe miqësia që ekziston mes tij dhe drejtuesve. Mbetet që Agolli ta pranojë ose jo ftesën, por një aventurë në SHBA mund të ishte e mirëpritur, plus që klubet amerikane të futbollit paguajnë më mirë dhe ai mund të përfitonte në këtë fazë “pensioni” të karrierës së tij.