AlbanianSport.com 14/01/2019 19:20
ASNN – “Ringjallet” Naser Aliji, kthehet tek Dinamo e Buklureshtit dhe kalon testin e parë me rumunët. Mbrojtësi i Kombëtares kuqezi, Naser Aliji, e ka mbajtur fjalën, duke u kthyer tek Dinamo e Bukureshtit, madje duke luajtur 45 minuta me fanellën e skuadrës së njohur rumune në miqësoren ndaj kroatëve të Hajdukut të Splitit. Aliji ishte larguar nga Rumania para shumë javësh, me idenë e një përgatitje individuale në Zvicër.
Përgatitje që ka shkuar mjaft mirë dhe këtë e evidenton qartë tabloidi rumun “Fanatik.ro”. Prezantimi i Alijit në klub ka ardhur para disa ditësh dhe në ndeshjen miqësore kundër Hajdukut të Splitit mbrojtësi i majtë i përfaqësueses së Shqipërisë (i munguar prej shumë kohësh në ekip për shkak se lojtari nuk luan prej një kohe të gjatë dhe ishte pa skuadër) luajti në pjesën e dytë.
Sipas sajtit në fjalë Aliji bëri një paraqitje mjaft të mirë dhe tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve, sepse bëri një lojë të gërshetuar mes mbrojtjes efikase dhe sulmit të rrufeshëm e të shpejtë në krahun e majtë. E gjithë paraqitja e Alijit lidhet me provën që ai duhet të kalonte tek Dinamo e Bukureshtit dhe këtë provë të parë duket se ai e ka kaluar me sukses.
Në këtë ndeshje Aliji mbajti veshur fanellën me numër 7. Mediat rumune në tërësi shkruajnë se paraqitja e tij ka qenë mjaft e mirë dhe ai e ka kaluar testin me sukses dhe pritet të firmosë kontratë afatgjatë me Dinamon e Bukureshtit. Trajneri i skuadrës së njohur rumune, Redniç, ende nuk ka folur për rastin e rikthimit të Alijit, ndaj gjithçka mbetet për t’u parë në ditët në vijim.