AlbanianSport.com 10.06.2015 17:40
Lojtarët e Kombëtares që janë të lirë në këtë merkato vere po bëjnë përpjekje që të gjejnë destinacionit e duhura, me shpresën se do të vijojnë të jenë në nivele të larta dhe me skuadra që u japin vazhdimësi për të luajtur në elitë.
Një nga futbollistët tanë më të mirë, Alban Meha, është larguar nga Paderboni gjerman drejt Superligës turke, me shpresën se në radhët e Konjasporit do të rigjejë cilësinë e tij të munguar, por në të njëjtën kohë do të luajë në kampionatin elitar të një vendi, futbolli i të cilit po rritet ndjeshëm.
29-vjeçari ka arritur marrëveshjen me drejtuesit e Konjasporit, që militon në elitën e futbollit turk, madje ish-futbollisti i Paderbornit ka kaluar edhe testet mjekësore. Një zgjedhje surprizë kjo e Mehës, që kishte refuzuar ofertën e Paderbornit për rinovimin e kontratës që në muajin janar.
Më rënien e skuadrës së Mehës në Bundesligën e 2-të, divorci me Paderbornin ishte i pashmangshëm. Në fakt, prestigjiozja gjermane “Bild” vetëm pak ditë më parë zbuloi se e ardhmja e Mehës do të ishte jashtë Gjermanisë, ndërsa informacionet që vijnë së fundmi nga Turqia zbulojnë destinacionin e saktë të mesfushorit shqiptar.
Detajet e kontratës së Mehës me Konjasporin do të zbulohen në orët në vazhdim kur të bëhet edhe zyrtarizimi i futbollistit me skuadrën turke.