Adriatik Balla 20.08.2015 07:55
Në intervistën e dhënë për “Blick”, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare Arlind Ajeti, shpreh emocionet e tij nga një sezon që e kaloi më së shumti në stol, por edhe për ambiciet ë ka për kalimin në një klub tjetër, me shumë gjasë tek Vaduzi i Lihtenshtejnit. Në të njëjtën kohë, duke folur për gazetën në fjalë, Ajeti komenton ecurinë e Kombëtares dhe shanset e saj për të shkuar në Evropian. Më së pari ai dëshiron të gjejë një skuadër të re për sezonin në vazhdim.
“Ndoshta duhet të kisha ndryshuar ekip më shpejt, kjo do të ishte një zgjedhje më e mençur për karrierën time, – ka deklaruar ai për median helvete në fjalë. – Gjithsesi ky ishte një mësim që do të më shërbejë gjatë gjithë jetës. Kam patur gjithmonë shpresën se gjërat do të përmirësoheshin. Nuk largova më herët nga Bazeli pasi besoja se mund të luaja ende me atë skuadër por asgjë nuk shkoi ashtu siç mendoja unë.” Ka patur vetëm një arsye shumë më madhore dhe ajo nuk ka të bëjë me futbollin që ka i dhënë forcë Ajetit për të përballuar një sezon të vështirë te Bazeli.
“Lindja e djalit tim 7 muaj më parë më ka dhënë shumë forcë. Kur e kam parë për herë të parë të gjitha shqetësimet që kam patur i kam harruar shumë shpejt”, – theksoi 21-vjeçari më pas foli edhe për eksperiencën që përjetoi te Bazeli. “Sezoni i fundit me Bazelin ishte më i vështiri i karrierës time, – vijoi Ajeti. – Megjithatë kjo është një përvojë që do të më shërbejë shumë për të ardhmen. Kam mësuar shumë te Bazeli pasi kam patur shokë skuadre futbollistë cilësorë.”
Për të qenë pjesë e Kombëtares kuqezi për dy sfidat e muajit shtator, Arlind Ajeti duhet të gjejë sa më shpejt një destinacion të ri dhe sipas mediave zvicerane ai është shumë pranë kalimit te Vaduzi edhe pse vetë mbrojtësi shqiptar lë ende gjithçka të hapur përsa i përket të ardhmes së tij. “Për momentin stërvitem vetëm 1 herë në ditë por me kalimin e 1 apo 2 javëve besoj se do të arrij formën maksimale, – thotë ai. – Një ndryshim është i rëndësishëm për karrierën time.”
“Vaduzi? Është një opsion por kam edhe mundësi të tjera, nuk dua të nxitohem pasi dua të bëj zgjedhjen më të mirë për vazhdimin e karrierës”, – shtoi ai. Në fitoren historike 1-0 të Shqipërisë ndaj Francës në “Elbasan Arena”, Ajeti luajti si titullar dhe zhvilloi ndeshjen e tij më të mirë me Kombëtaren. Në mungesë të Mërgim Mavrajt, 21-vjeçari shikohet si një alternativë e mirë nga trajneri Xhovani De Biazi edhe për dy sfidat ndaj Danimarkës dhe Portugalisë.
Dhe ëndrra e mbrojtësit shqiptar është pikërisht të aktivizohet titullar në këto dy takime. “Tani kam një rrugë të re për të ndjekur. Dua të luaj jashtë Zvicrës por përpara se të marr një vendim dëshiroj të jem pjesë e Kombëtares Shqiptare në dy sfidat e ardhshme eliminatore për Euro 2016. Shpresoj të grumbullohem nga De Biazi dhe të aktivizohem titullar”, – përfundoi Ajeti.