AlbanianSport.com 30/11/2018 18:15
ASNN – Ajdareviç njofton ndarjen me AEK-un, falënderime të humta para kthimit në Suedi. Astrit Ajdareviç është shkëputur më në fund nga klubi grek i AEK-ut dhe lajmin e ka dhënë vetë nëpërmjet një postimi të shkurtër në rrjetin social “Instagram”. Në fakt, në mesazhin e tij jepet lajmi i ndërprerjes së bashkëpunimit me klubin e Athinës, teksa shpreh falënderime për të gjithë, klubin e tifozët, duke thënë se do të mbetet gjatë në mendjen e tij fakti se erdhi në Athinë e doli “kampion” me skuadrën e AEK-ut.
“Jam i lumtur dhe mirënjohës që kam marrë kaq shumë dashuri në kohë të mira dhe të këqija, – shkruan në postimin e tij sulmuesi i përfaqësueses kuqezi. – Emri im do të lidhet gjithmonë si një “kampion” me AEK-un dhe ky klub do të jetë përgjithmonë pjesë e jetës time. Faleminderit të gjithë njerëzve që janë përfshirë në jetët tona në dy vitet e fundit. Unë jam munduar gjithmonë të jap më të mirën time në fushë dhe jashtë saj. Familja Ajdareviç i falënderon të gjithë.”
Në fakt, e ardhmja e futbollistit ende nuk dihet, por pritet që të rikthehet në Suedi, aty ku ka familjen e tij. Më herët Ajdareviç është grumbulluar edhe nga ekipi kombëtar i Shqipërisë, por muajt e fundit nuk është përfshirë në listë nga trajneri Kristian Panuçi, pasi sulmuesi Ajdareviç nuk ka pasur një aktivizim të rregullt me AEK-un e Athinës.