AlbanianSport.com 14.01.2016 17:35
ASNN – Mediat italiane kanë paralajmëruar për një largim të mundshëm të Elseid Hysajt nga skuadra e Napolit. Agjenti i tij ka thënë se “Hysaj është një lojtarët për skuadrat më të mira dhe nëse një ofertë e lartë do të vinte në gusht, ai nuk do t’i thoshte jo”.
Sipas gazetës italiane “Il Corriere dello Sport”, menaxheri mbrojtësit te skuadra e Napolit, Mario Xhufredi, ka thënë se “klienti im ka hapësire të mjaftueshme për t’u përmirësuar dhe mund të bëj një hap përpara”.
Aktualisht, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare të futbollit po kalon një formë të mirë te Napoli, ku u shpall kampion dimri me skuadrën në Serinë A. Kështu, Elseid Hysaj mbetet në merkato dhe Napoli mund ta shesë për një ofertë të mirë.
Për këtë qëllim, Evropiani do të jetë një vitrinë e rëndësishme e futbollit këtë verë. Futbollistët do të jenë pjesë e tij do të vëzhgohen nga klubet për t’u bërë pjesë e merkatos së verës.
Këtu nuk bën përjashtim edhe lojtarët shqiptarë duke nisur nga Elseid Hysaj. Agjenti i tij, Mario Xhufredi deklaroi për Radio “CRC” se mbrojtësi 21-vjeçar është i vlefshëm për skuadra të mëdha dhe Napoli mund të marrë në konsideratë ofertat e larta, që mund të vijnë në drejtim të tij.
Kartoni i Hysajt sipas faqes së specializuar të shitblerjes, “Transfermarkt.com” është dyfishuar në vlerë nga momenti, që u transferua te skuadra napoletane verën e kaluar dhe tani kushton, jo më pak se 9 milionë euro.
Megjithatë për momentin Elseid Hysaj është i fokusuar te kampionati ku Napoli kryeson renditjen dhe lufton për titullin “kampion”.