Adriatik Balla 26.05.2015 07:55
Shqiptarët shkëlqyen dje në kampionatin zviceran, duke marrë lëvdatat e shtypit vendas. Ata ishin protagonistë në shumicën e ndeshjeve dhe sulmuesit në tërësi shënuan, duke nisur nga kryegolashënuesi Shkëlzen Gashi, deri tek sulmuesi i Kosovës
Berat Sadiku.
Ky i fundit i shënoi dy gola dje Bazelit, kurse Gashi realizoi me 11-metërsh golin e tij të 22-të në kampionatin zviceran, duke siguruar “Këpucën e Artë”. Një tjetër paraqitje mbresëlënëse bëri Armand Sadiku, me FC Zyrihun që mundi me golin e tij 1-0 Lucernën e Jahmir Hykës.
Ky i fundit u fut në fushë vetëm në 30 minutat e fundit. Në ligën e dytë zvicerane, një spektakël të vërtetë dhanë dy lojtarët shqiptarë të Lë Mont LS, Orhan Mustafi dhe Sehar Fezullahi, që shënuan që në pjesën e parë nga një gol secili në ndeshjen kundër Servetes.
Natyrisht që një ndeshje e veçantë ishte ajo midis Thunit dhe Bazelit, e cila përfundoi në barazim 2-2. Tre nga katër golat e këtij takimi i shënuan shqiptarët, konkretisht dy Berat Sadiku e një Shkëlzen Gashi. Me pak fjalë, kampionati zviceran dje fliste i tëri për shqiptarët, që regjistruan një paraqitje fantastike.