Gjergj Vyshka 06.10.2015 15:45
Promovohet libri i gazetarit dhe opinionistit sportiv, Fatmir Mëneri, “Xhavit Demneri gjithkushi”, ardhur me kujtimet e bashkohësve dhe të atyre që jetuan periudhën e të bërit futbollit nën drejtimin e “ustait” bardheblu. Xhavit Demneri, Mjeshtër i Madh (Pas vdekjes). Ky është titulli që dje pasdite në mjediset e Hotel “Tirana-International”, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka dorëzuar nëpërmjet këshilltarëve të tij Ilda Zhulali e Shaqir Hasanaj për kollosin e futbollit bardheblu.
Motivacioni: “Për kontributin e tij si sportist, trajner, zbulues, kultivues dhe përkrahësh të talenteve të futbollit. Për shpalljen Kampion Ballkani më 1946 dhe si themelues i klubit sportiv Partizani, Xhavit Demnerit i jepet ky titull”. E titullin e ka tërhequr i biri Shyqyriu, ndërsa gazetari dhe opinionisti sportiv, Fatmir Mëneri, ka falënderuar të gjithë për kontributin e tyre në dhënien e këtij titulli, por dhe në bërjen e librit “Xhavit Demneri gjithkushi”.
“Më duhet të falënderoj të gjithë si për vlerësimin, por dhe për nxitjen e bërjes së këtij libri, – ka thënë ai. – Mbi të gjitha Kreshnik Tartarin për nxitjen, klubin e Tiranës dhe Eduard Gjinin, Ministren Nikolla, por dhe dy anëtarët e Drejtorisë së Sportit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj dhe Uvil Zajmi. Mbi të gjitha presidentin e Republikës, por dhe këta burra, që janë bashkëautor në këtë libër. Pa harruar redaktorin Agron Sejamini, botuesin e Shtëpisë Botuese “Onufri”, Bujar Hudhrin.”
“E mbi të gjitha motrën time Nezihatin dhe Shyqyriun, familjen time, nipërit dhe mbesa. Dhe një herë faleminderit të gjithëve”, – ka përfunduar Mneri. Dhe në fakt nëpërmjet fjalëve të Nderit të Kombit, Artistit të Popullit, Reshat Arbana, të shoqes së Panajot Panos, Rebekës, Bashkim Gjergjit, Arben Tafajt, Fatmir Frashërit dhe Ismail Demnerit ka ardhur dhe një herë figura e madhe e Xhavit Demneri. Një “usta” më vete për kultivuesin e talentit të futbollistit që sot dhe kësaj dite futbolli shqiptar do të kishte dhe ka nevojë për të.
Edhe libri ka ardhur nëpërmjet vlerësimeve të figurave të futbollit të Tiranës dhe të kombëtares, por dhe të gazetarëve Ismet Bellova, Tritan Kokona, Dëfrim Methasani, Gëzim Sinemati, por dhe komshinjve dhe figurave të tjera të sportit. Sepse Xhavit Demneri ishte i të gjithëve, jo dikushi, por gjithkushi… Dhe një vlerësim si “Mjeshtër i Madh” ndoshta ka ardhur me vonesë. Por më mirë vonë se sa kurrë thotë një shprehje e urtë popullore. E rëndësishme është që figura të tilla s’janë harruar dhe nuk do të harrohen kurrë.