Gjergj Vyshka 07.08.2015 18:55
Norvegjezi i stolit së Legia Varshavës, Hening Berg, ka pranuar që për shkak të ndeshjes së kampionatit ka pasur dhe rotacion në formacion për t’i dhënë më shumë mundësi pushimi titullarëve. Berg ka qenë i kënaqur me paraqitjen e ekipit ndaj Kukësit, me fitoren, por dhe me kalimin në fazën e “play-off”-it të Ligës së Evropës.
“Unë jam i kënaqur me fitoren, – ka deklaruar ai. – U përpoqa sa më shumë që të mund t’i jipja disa lojtarë një pushim sot. Pavarsisht nga kjo, kemi paraqitur një lojë të mirë në fushë, sidomos në mbrojtje. Ne kontrolluam rrjedhën e ndeshjes. Ne e bëmë mjaft mirë detyrën për të fituar këtë ndeshje dhe për të përparuar në turin tjetër.”
“Sigurisht që ne mund të jemi më efektiv në vazhdim të garës, – theksoi Bergu. – Kemi prezantuar sot lojtarët të cilët kanë mundësi për të luajtur më pak. Rafal Makovski dhe Robert Bartzak kanë marrë përvojë shumë të vlefshme. Unë mund të shoh këto futbollistë në ndeshjet në vazhdim, ndërsa jemi dhe përpara ndeshjes së kampionatit me Visla e Krakovës, një skuadër në gjendje shumë të mirë.”