AlbanianSport.com 19/10/2018 16:10
ASNN – LëBron Xhejms e nis me humbje sezonin në Kampionatin Amerikan të Basketbollit (NBA), pasi Lejkërsat mposhten nga ekipi i Portlandit. Ky kampionat vijon të dhurojë emocione dhe spektakël, ku favoritët po tronditen nga debutuesit apo dhe fitoret e sekondës së fundit siç ndodhi këtë fundjavë me Fildalefian. TrejlBlejzërs, skuadër e Portlendit, bëri surprizën e madhe në ndeshjet e javës së parë në NBA, pasi mposhti në “Moda Center” favoriten Los Anxhelos Lejkërs, me shifrat 128-119.
Ylli i Lejkërsave, ish-lojtari i Klivlend Kavalirs, LëBron Xhejms, regjistroi shifra spektakolare, por të pamjaftueshme për të evituar humbjen e skuadrës së tij. Xhejms realizoi 26 pikë, dha 6 pasime për kosh dhe fitoi 12 topa në tabelë. Dhe si të mos mjaftonte humbja dhe gjithë këto shifra, Xhejms nuk doli as shënuesi më i mirë i takimit, pasi “mbreti” i mbrëmjes ishte kundërshtari i tij në fushë, Damian Lillard, i cili realizoi 28 pikë, dha 4 asiste dhe rikuperoi 6 topa në tabelë.
Vetë LëBron Xhejmsi e cilësoi ndeshjen si surprizë të madhe dhe se nuk e kishte menduar kaq të vështirë këtë start sezonal në NBA. Nga ana tjetër, edhe pse kanë në mesin e tyre njërin prej lojtarëve më të mirë në historinë e basketbollit amerikan, duket qartë se Los Anxhelos Lejkërs do ta kenë të vështirë të fitojnë titullin në SHBA. Ndërkohë, pas disfatës së pësuar ndaj Boston Sëlltiks në ndeshjen e parë, Filadelfia 76 shkarkoi “bateritë” në shenjë hakmarrjeje ndaj Çikago Bulls, duke e mundur 127-118.
Një fitore që do të thotë shumë për ecurinë e kësaj skuadre në NBA të këtij sezoni. Ndeshja tjetër, ajo midis Uashington Uizards ndaj Majemi Hit, rezultoi një ndeshje dramatike, spektakolare dhe që përçoi emocione të forta. Një kosh i sekondës së fundit nga Kelli Olinik, i dha fitoren Majemit 113-112. Ishte një fitore me fat e Filadelfias, sepse koshi i fitores erdhi në të qindtat e sekondës së fundit, duke përmbysur kundërshtarin dhe duke shtangur spektatorët në “Kepitël Uan Arina”.