AlbanianSport.com 22/11/2018 18:40
ASNN – Basketbolli amerikan vijon të prodhojë surpriza të shumta dhe spektakël të garantuar. Më i miri i koshit amerikan, basketbollisti i pashoq, LëBron Xhejms, u tregua dhe një herë vendimtar për fitoren e Los Anxhelos Lejkërs në duelin kundër Klivlend Kavalirs, me rezultatin 109-105. Për Klivlendin ishte humbja e 3-të radhazi kurse për Lejkërsat ishte fitorja e 10-të në këtë sezon.
Ishte pikërisht paraqitja mbresëlënëse e Xhejms që bëri dallimin në parket. “Mbreti” shënoi 32 pikë në këtë ndeshje, realizoi 7 pasime për kosh dhe zotëroi 14 topa në tabelë, statistika mjaft të mira për nivelin e tij. Ndërkohë, skuadra që e njisi mjaft mirë sezonin në Konferencën e Perëndimit, Golden Stejt Uorriërs, ndodhet tani në krizë të plotë.
Kampionët në fuqi të basketbollit amerikan pësuan humbjen e 4-t radhazi dhe u shpartalluan nga Okllahoma Siti Thandër, me rezultatin e thellë 123-95. Dëmtimi i shumë lojtarëve titullarë dhe një krizë e brendshme kanë sjellë rënien e peshës së Uorriers. Sa i takon Konferencës së Lindjes, duhet thënë se “ligjin” po e bën skuadra e Toronto Reptërs, e cila mundi Xhorxhia Atlanta Houks, me shifrat 124-108.
Për Reptërs, kjo ishte fitorja e 15-të këtë sezon, duke treguar superioritetin e saj në këtë konferencë. Padyshim që Toronto Reptërs konsiderohet si favorite për titullin në Konferencën e Lindjes.