Gjergj Vyshka 04.01.2015 07:55
Portieri, që luajti për blutë për tre vjet, merr letra nga kryeqytetasit e zyrtarizohet me librazhdasit. Histori që përsëritet tek blutë, gjithnjë merret mbrojtës i katërkëndorit kur e kanë dhe cilësorë. “Një të thënë dhe një të bërë”. Kjo ka qenë ajo që ka ndodhur me portierin e Dinamos, Daniel Lamellari, të cilit nuk i ka pëlqyer vendimi i stafit teknik të bluve për të vendosur titullar mes dy shtyllave të portës elbasanasin Kotorri dhe më pas të dilte ai rezervë.
E thënë ndryshe, Lamellari që kishte tre vjet që mbronte portën e Dinamos, burime pranë tij shpjegojnë se dy sezone ka luajtur dhe pa u paguar, ndërsa ka refuzuar shumë oferta për t’u besnik i bluve, ka mbetur i ofenduar. Dhe shpërthimin e debateve të së shtunës me administratorin Ismet Saliaj e ka finalizuar të hënën në mbrëmje, ndërsa ka marrë lejen e kalimit. Dhe dje paradite, au ka dalë në stërvitje për herë të parë me Sopotin.
Një siguri më shumë për skuadrën e Gentian Stojkut, që pretendon të ngjitet në Kategorinë Superiore, kurse Lamellari dhe bullgari Miumiudov japin garancinë e plotë të mbrojtjes së portës së Sopotit. Madje forma që ka pasur dhe që ka Lamellari duket se do ta vendosë atë titullar në mbrojtje të portës së Sopotit që më 7 shkurt në ndeshjen e parë të pjesës së dytë të kampionatit në vizitën beratase. Të afërmit e Lamellarit e quajnë të mirën më të vogël aktivizimin e tij tek Sopoti.
Kjo sepse, në fakt, ai ka pasur mundësi shumë më të mira, sepse ka pasur oferta nga Laçi e Tërbuni. Dhe i pati refuzuar për të mirën e Dinamos. Por blutë vërtetuan dhe një herë që nuk kanë dëshirë të madhe të mbajnë ato lojtarë që në një farë mënyre kanë kontribuar dhe kanë luajtur tre vjet në Kategorinë e Parë. E më tej akoma, kanë kontribuar për ta ngjitur skuadrën në vendin e dytë, teksa është vetëm një pikë larg Lushnjës kryesuese.