AlbanianSport.com 25/10/2018 23:05
ASNN – Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, ka luajtur të enjten ndeshjet e 3-ta në grupe, dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt një nga takimet më të spikatura, atë midis Olimpikut të Marsejës dhe Lacios. Kjo e fundit ka korrur një fitore të rëndësishme të enjten në mbrëmje, duke fituar 3-1 në Marsejë ndaj Olimpikut vendas dhe duke u rikthyer në valle për kalimin e grupit.
Në fakt, sfida e zhvilluar në “Stadë Velodromë” të Marsejës ka nisur me një lojë të kujdesshme të të dyja skuadrave, me vendasit më kërkues në sulm dhe me miqtë më të kujdesshëm në mbrojtje, duke synuar ta godasin kundërshtarin me kundërsulm. Dhe sikundër ndodh në këto situata, do të duhet një gabim për ta zhbllokuar rezultatin dhe atë e ka bërë portieri i Marsejës, Mandanda, i cili ka dalë keq në një goditje këndi dhe Uollas është i shpejtë tek topi dhe e dërgon atë në rrjetë, duke e kaluar Lacion në epërsi pas 10 minutash lojë.
Francezët do të mundohen të reagojnë, por nuk e kanë qartësinë e duhur në finalizim, ndërsa do të lënë hapësira prapa, të cilat i shfrytëzon Lacio dhe Kaseres është vetëm një fraksion sekonde me vonesë, pa arritur ta përcjellë topin në rrjetë 7 minuta më pas. Imobile godet brenda zone në pozicion të volitshëm në minutën e 21-të, por topi rrok shtyllën e djathtë pingule të portës franceze dhe përfundon jashtë. Marseja kundërpërgjigjet në krahun tjetër duke ushtruar trysni dhe Sanson godet bukur në minutën e 28-të, por nuk e gjen dot kuadratin e Strakoshës.
Lacio vazhdon të kundërpërgjigjet me kundërsulme dhe vetëm reagimi instinktiv i Mandandasë i mohon Imobiles golin 3 minuta më pas. Megjithë trysninë e ushtruar dhe vëllimin e madh të lojës të bërë nga Olimpiku vendas, pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë minimale të italianëve. Pjesa e dytë nis me të njëjtën skemë loje dhe, pas një kundërsulmi, Luliç ka shansin të finalizojë një aksion të bukur të Lacios në minutën e 53-të, por gardiani i portës franceze, Mandanda, është i saktë në ndërhyrje, duke zotëruar topin dhe duke shmangur edhe shkaktimin e një 11-metërshi.
Sanson ka një rast të volitshëm për të shënuar më marsejezët 3 minuta më pas, por goditja e tij brenda zonës është për t’u harruar, pasi është shumë larg kuadratit. Janë minuta të mira për vendasit këto dhe Gustavo do të provojë, por goditja e tij është e pasaktë, pa e shqetësuar shumë gardianin shqiptar të portës së Lacios. Atë që nuk e bëjnë francezët e bëjnë italianët në minutën e 59-të, dhe Imobile vertikalizon bukur për Kaisedon, që mposht edhe përpjekjet e Mandandasë dhe përshëndet rrjetën për golin e dytë të Lacios.
Goli i dytë i Lacios duket se do ta fusë në kllapi ndeshjen dhe italianët dukej se po i drejtoheshin një fitoreje të qetë deri 4 minuta para fundit të kohës së rregullt, kur Pajet ekzekuton mjeshtërisht një goditje këndi dhe nuk i jep asnjë shans Strakoshës, duke përshëndetur rrjetën. Atëherë kur francezët shpresuan të gjenin edhe golin e barazimit, është Lacio që shfrytëzon me sukses kundërsulmin dhe gjen edhe golin e 3-të, me një finalizim të bukur të Marushiçit. Ky gol e ka vrarë përfundimisht takimin, që fitohet nga Lacio me rezultatin 3-1.
Italianët ngjiten në vendin e dytë të renditjes, me 6 pikë, 3 më pak sesa Eintrahti i Frankfurtit që kryeson grupin H, ndërsa Olimpiku i Marsejës dhe Apolloni i Limasolit kanë nga një pikë secila.