AlbanianSport.com 07/01/2018 18:55
ASNN – Java e 12-të e Kategorisë Superiore dhuroi surpriza të shumta dhe njëherësh ndryshim vendesh në kryesim midis Skënderbeut dhe Partizanit. Surprizën e vërtetë e bëri Laçi, i cili mundi kampionët në fuqi të Superiores, Skënderbeun, me rezultatin e pastër 2-0. Shtubina në minutën e 7-të dhe Gjoni në minutën e 85-të i dhanë Laçit një triumf me mjaft vlerë, sepse trepikëshi e ngjit skuadrën kurbinase në vend të 3-të, duke qenë kështu një pretendente e fortë në renditje për zonën “evropiane”.
Ndërsa për Skënderbeun, disfata kushtoi, pasi rivali më i fortë, Partizani, ia doli të marrë pikë në Krujë përballë Kastriotit dhe të ngjitet në krye të renditjes së Kategorisë Superiores me 28 pikë, duke lënë pas Skënderbeun me dy pikë më pak. Në Krujë të kuqtë kryeqytetas nuk e patën të lehtë, por dy golat e krutanit Bardhi i dhanë epërsi që në pjesën e parë kryeqytetasve të trajnerit Skënder Gega, duke e zhvlerësuar golin e Roxher në fund të fraksionit të parë të lojës.
Ndërkohë, një fitore me vlera të mëdha dhe me përmbysje korri edhe Teuta, e cila mundi në kryeqytet Kamzën me rezultatin 3-1. Në pjesën e parë shënuan kamzalinjtë me anë të Bonanit, por në pjesën e dytë, në harkun e nëntë minutave, midis minutës së 77-të dhe 86-të, u duk sikur Kamza prishi gjithçka me duart e saj, pasi Latifi, Progni dhe Beqja shënuan njëri pas tjetrit nga një gol, duke bërë që Teuta të dalë me 3 pikë nga kjo përballje dhe natyrisht duke zhytur në krizë serioze Kamzën.
Aty ku pozitat e trajnerit Klodian Duro tashmë janë të lëkundura. Nga ana tjetër, të mërkurën pasdite, Flamurtari priti në Vlorë Luftëtarin, në një duel mjaft të dobët, ku nuk pati kurrfarë emocioni dhe në fund erdhi një barazim i thatë 0-0, e nga një pikë për secilin ekip, duke u vlejtur gjirokastritëve por jo skuadrës së Ilir Dajës, e cila nuk po tregon stabilitet në lojën dhe rezultatet e saj. Sidoqoftë, Flamurtari mbetet ende në pozita relativisht të mira, me 19 pikë, ku ka vend për përmirësim.
Kurse Luftëtari, ashtu sikundër Tirana, që ndau një pikë të martën me Kukësin të martën në atë barazim pa gola, shkon në 10 pikë duke qenë pranë zonës së ftohtë të fundtabelës në Superiore dhe me rrezikim rënie.
Kategoria Superiore
Java e 12-të
Të martën:
Tirana – Kukësi 0-0
Të mërkurën:
Laçi – Skënderbeu 2-0
Kastrioti – Partizani 1-2
Kamza – Teuta 1-3
Flamurtari – Luftëtari 0-0
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Partizani 28
- Skënderbeu 26
- Laçi 22
- Teuta 21
- Kukësi 20
- Flamurtari 19
- Tirana 10
- Luftëtari 10
- Kamza 8
- Kastrioti 4