AlbanianSport.com 13.08.2015 21:45
ASNN – Një skuadër cilësore, e cila synon trofe dhe merr pjesë në Kupat e Evropës, nuk mund të konceptohet pa terrenet e përshtatshme. Ky është rasti i Laçit, klubit kurbinas që përveçse arritjeve sportive u kushton një vëmendje të veçantë kushteve të fushës ku i zhvillon ndeshjet brenda.
Pas thuajse nëntë vitesh nga ndërhyrja e fundit, presidenti Pashk Laska ka vendosur të ndërrojë tapetin e stadiumit të Laçit. Prej disa ditësh brenda në fushë ndodhen mjetet që po heqin tapetin e vjetër, që do të zëvendësohet me një të ri me parametrat më optimale.
Punimet do të zgjasin disa javë, sepse, përveçse në fushë, do të ketë ndërhyrje edhe në disa sektorë të veçantë të stadiumit, për të rritur sigurinë dhe komoditetin e spektatorëve. Fillimi i vonë i punimeve do të thotë se disa ndeshje të fazës së parë të kampionatit, Laçi nuk do t’i zhvilloi në stadiumin e tij.
Stadiumi pritet të jetë gati pas të paktën dy muajsh. Ndërkohë, Laçi është një ndër ekipet me emër në Kategorinë Superiore, pasi në vitet e fundit paraqitja e saj ka ndryshuar dhe këtë gjë e vërtetoi edhe në Superkupën e Shqipërisë. Në këtë sfidë, Laçi fitoi ndaj Skënderbeut pas 11-metërshave, pasi koha e rregullt e ajo shtesë përfunduan në barazim.