AlbanianSport.com 26.02.2016 12:30
ASNN – Laçi vijon përgatitjet sërish në Kamëz, teksa në fokusin e bardhezinjve, të drejtuar nga Stavri Nica, është sfida e së shtunës me Vllazninë, e cila sipas njoftimit më të fundit të federatës do të luhet në orën 13:30, ashtu si të gjitha përballjet e asaj dite.
Përgatitjet e djeshme janë karakterizuar nga ushtrime të ndryshme tekniko-taktike, ndërsa, përgjatë gjithë seancës, trajneri Nica ka dhënë direktivat për vendosjen e skuadrës në fushë, mënyrat si duhet të sulmojnë e mbrojnë.
Sepse vetëm kështu skuadra do të jetë gati për përballjen 90-minutëshe në fushën e blertë. Vlerësimi në kampin kurbinas për Vllazninë është në nivelet maksimale e synimi është që të kthehen me pikë nga Shkodra, por për këtë duhet të japin më të mirën ndaj tyre.
Përballja me Vllazninë po afrohet, pasi ka mbetur edhe një seancë stërvitore për t’u zhvilluar për kurbinasit, e siç ndodh zakonisht, ajo pritet të jetë pak e ngarkuar fizikisht e do t’i shërbejë skuadrës së Laçit për të marrë direktivat e fundit për përballjen me kuqeblutë.
Pas zhvillimit të saj, skuadra pritet të grumbullohet, e gjasat janë që bardhezinjtë të jenë një natë para në qytetin e Shkodrës e më pas ata t’i afrohen fushës sportive “Reshit Rusi”, atje ku fusha e blertë do të vendosë verdiktin final të përballjes së dy ekipeve veriore.