AlbanianSport.com 16/08/2021 15:40
ASNN – Pas 37 ndeshjesh, trajneri kryeqytetas dhe klubi kurbinas mbyllin bashkëpunimin. Pas 37 ndeshjesh, një vendi të 4-t në një kampionat ku ishte në betejë për titull deri në fund dhe arritja deri në turin e 3-të të një veprimtarie evropiane, mbyllet edhe aventura e Shpëtim Duros si trajner i Laçit. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i radhës për trajnerin kryeqytetas, por edhe se cili do të jetë emri i stolit të ri të skuadrës së Laçit.
Shpëtim Duro është larguar nga detyra e trajnerit të Laçit. Mbyllja e aventurës evropiane të kurbinasve, teksa u eliminuan në turin e 3-të të Ligës së Konferencës, ka mbyllur edhe bashkëpunimin e klubit me trajnerin kryeqytetas. Duro mori drejtimin e Laçit pas fillimit të sezonit të kaluar, kur nga kurbinasit u largua Armando Cungu si rrjedhojë e mungesës së rezultateve. Trajneri 61-vjeçar debutoi në stolin e Laçit në atë barazim në Durrës, 1-1 përballë Teutës vendase më 13 dhjetor.
Dhe ai arriti ta kthente në garë për titullin kampion ekipin, por në fund mbylli sezonin pa trofe. Në fakt, gjatë 37 ndeshjeve që ish-futbollisti i Partizanit e drejtoi Laçit, skuadra kurbinase korri 18 fitore, mori 10 barazime dhe pësoi vetëm 9 humbje. Skuadra e Duros e mbylli sezonin e shkuar të Kategorisë Superiore në vendin e 4-t, në kuotën e 61 pikëve, 4 më pak sesa Partizani i vendit të 3-të dhe 5 më pak sesa dyshja e kreut, Teuta kampione dhe Vllaznia nënkampione.
Por ajo ishte në lojë për titullin deri në fund. Sidoqoftë, përvoja e tij te Laçi mund të cilësohet shumë e suksesshme duke llogaritur se ai arriti të drejtonte kurbinasit për herë të parë në historinë e tyre drejt turit të tretë të një veprimtarie ndërkombëtar, duke eliminuar rumunët e Universitatea Krajovës në turin e dytë, por duke u eliminuar në turin e 3-të të Ligës së Konferencës vetëm nga një emër i madh si Anderlehti.
Mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i radhës për trajnerin kryeqytetas, por edhe se cili do të jetë emri i stolit të ri të skuadrës së Laçit.