Gjergj Vyshka 23.04.2015 07:55
Bardheblutë kanë kontestuar gjykimin e Pashajit, në Korçë përsëri vendos Pejiç. Më 30 maj kurbinasit do të kërkojnë trofeun e dytë, kurse verilindorët kërkojnë t’ia bëjnë “sefte”. Laçi-Kukësi është finalja e Kupës së Shqipërisë për sezonin futbollistik 2014-2015, një finale e cila do të diskutohet më 30 maj dhe që do të shënojë fundin e këtij sezoni.
Të dy skuadrat e kanë për herë të dytë daljen e tyre në finale, por diferencën e bën trofeu. Sepse kurbinasit e kanë fituar në sezonin 2012-2013, teksa në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” kanë mundur Bylisin në kohën shtesë, 1-0. Dhe po në tempullin e futbollit shqiptar sezonin e kaluar Kukësi e ka humbur finalen, ndërsa është mundur nga Flamurtari, 0-1.
Në të tilla kushte, kur Laçi e kërkon për herë të dytë këtë trofe, ndërsa Kukësi, edhe pse gjendet për herë të dytë në këtë finale, është përsëri “sefte”, atëherë finalja është e garantuar që do të jetë spektakolare dhe për t’u parë. Por çfarë dhuruan dy gjysmëfinalet e djeshme? Së pari në Laç gjithçka e ka zgjidhur nigeriani i kurbinasve, Xhejms Adeniji.
Kurse gjyqtari ndërkombëtar Bardhyl Pashaj, i cili ka ndëshkuar me karton të kuq Ndikumanën në minutën e 15-të, është në fokusin e akuzave të bardhebluve. Ndërkohë në Korçë ka vendosur Pejiç. Mirëpo të dyja skuadrat do të luajnë përsëri të dielën në “Zeqir Imeri”, këtë herë për kampionat, ku Skënderbeu kryeson me 3 pikë më tepër sesa Kukësi.
E përsëri këto skuadra kanë llogari për të larë për njëra-tjetrën, gjithnjë nëse nuk do të ketë marrëveshje të fshehtë, ndonëse dhe finalja e Kupës së Shqipërisë përballë një Laçi ambicioz nuk jep shumë garanci se Kukësi do të jetë kaq i “rehatuar” në marrjen e Kupës më 30 maj. Megjithatë deri atëherë duhet pritur.