AlbanianSport.com 12/08/2021 16:35
ASNN – Trajneri i Anderlehtit kërkon të mbajë skuadrën të motivuar,premton minuta edhe për stolin. E ka fituar ndeshjen e parë, madje edhe me rezultat komod, por trajneri i Anderlehtit, Vinsent Kompani, nuk pranon “të flerë mbi dafina”, ndaj e ka paralajmëruar skuadrën e tij të mos bjerë pre e vetëkënaqësisë. Fitorja 3-0 në sfidën e parë të turit të tretë në Ligën e Konferencës ndaj Laçit i ka dhënë Anderlehtit një epërsi të mjaftueshme për të administruar me qetësi në sfidën e kthimit, që do ta luajë të enjten në shtëpi.
Por te skuadra belge nuk e mendojnë si një formalitet këtë sfidë përballë tifozëve të vet. Trajneri Vinsent Kompani bëri të qartë se ekipi do të futej në fushë jo thjesht për të plotësuar 90 minutat, por për të provuar që ta fitojë edhe në këtë duel. “Ne shkuam në Shqipëri me qëllimin që të merrnim një rezultat të mirë dhe ia dolëm”, – ka thënë kreu i stolit të gjigandes belge, duke folur të mërkurën në konferencën për shtyp para ndeshjes.
“Tani duam që ta bëjmë përsëri këtë gjë, – ka vijuar ish-futbollisti i njohur. – Kemi një kalendar të ngjeshur në këtë muaj, por kjo nuk do të thotë që nuk do të bëjmë gjithçka për të fituar këtë sfidë”, – përfundoi ai. Trajneri i Anderlehti theksoi më tej në konferencën për shtyp se, sidoqoftë, disa lojtarë që kishin shfaqur probleme fizike në ndeshjet e fundit, do të liheshin pushim, duke u dhënë kështu mundësi aktivizimi një numri lojtarësh të stolit.