AlbanianSport.com 30.05.2015 14:25
Finalja e Kupës së Shqipërisë e zhvilluar mbrëmë midis Kukësit dhe Laçit shënoi mbylljen e edicionit sportiv, ku Laçi arriti të fitojë kupën dhe të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. Kukësi dështoi për të dytën herë radhazi të siguronte trofeun Kupës së Shqipërisë.
Mungesa e eksperiencës dhe natyrisht forma jo e mirë e lojtarëve të skuadrës nuk dhanë efektet e dëshiruara, ndërkohë që Laçi e meritoi plotësisht suksesin, duke qenë superiore në fushë, e qartë në veprimet e veta dhe natyrisht efikase në rastet e paraqitura, duke fituar dhe siguruar Kupën e Shqipërisë.
Një sukses i merituar për trajnerin Armando Cungu, i cili e mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme këtë edicion, duke u dhënë kurbinasve një kupë dhe pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. Në fakt, trajneri i Laçit, Armando Cungu, mundi dje në finale ish-skuadrën e tij të dy sezoneve më parë, Kukësin.
Një fitore e shkëlqyer e Cungut, i cili bëri një sezon fantastik me kurbinasit dhe e konfirmoi veten si një nga trajnerët më të mirë në kampionatin tonë. “Jam shumë i lumtur për këtë sukses pasi e kemi merituar, – ka deklaruar ai pas triumfit. – Dua t’ia dedikoj këtë trofe presidentit, por edhe futbollistëve. Tashmë të shikojmë përpara, pasi na presin ndeshje të vështira në Evropë.”