AlbanianSport.com 01/10/2018 13:50
ASNN – Pas 6 javësh kampionat, Laçi ndan vendin e 4-t dhe të 5-të me Flamurtarin, me nga 10 pikë secila, por, ajo që vlen të theksohet është se skuadra kurbinase është e vetmja që ende nuk e njeh humbjen në këtë fillim sezoni. Për trajnerin Artan Merxhushi, kjo s’ka pse të konsiderohet surprizë dhe se, përtej objektivave konkretë, Laçi dikton një paraqitje të mirë çdo sezon.
“Unë e prisja një ecuri të tillë, sepse gjatë sezoneve të fundit, Laçi ka bërë paraqitje dinjitoze, duke qenë në lojë për vend nderi apo për Kupat e Evropës, si dhe duke synuar me sukses shkuarjen sa më larg në Kupën e Shqipërisë, – thotë ai. – Prandaj nuk më çudit kjo ecuri dhe prandaj ky sezon nuk do të bëjë përjashtim dhe ne do të synojmë të marrim prej tij maksimumin.”
Laçi është e vetmja skuadër që ende nuk e njeh humbjen në këto 6 javë të para të këtij sezoni, por, kryeqytetasi i stolit të kurbinasve e pranon se duhet të ishte marrë më tepër prej 4 barazimeve, por thekson se skuadra po vjen në parametrat optimalë. “Grupi ende nuk është konsoliduar siç duhet, pasi patën përforcime në çastet e fundit dhe ata duan kohë të inkuadrohen në skuadër dhe në lojë”, – pohon Merxhushi.
Megjithatë, ish-futbollisti i Dinamos thekson se ky sezon pritet të jetë mjaft i rivalizuar. Merxhushi pohon se përtej objektivave konkretë, Laçi dikton një paraqitje të mirë çdo sezon. Pas 6 javësh kampionat, Laçi ndan vendin e 4-t dhe të 5-të me Flamurtarin, me nga 10 pikë secila, 3 pikë më pak se dyshja e kreut, Kukësi dhe Partizani, dhe një më pak sesa Skënderbeu.