AlbanianSport.com 13.08.2015 16:15
ASNN – Trajneri i Laçit, Armando Cungu u shpreh mjaft i lumtur për suksesin e arritur me ekipin e tij. Ai deklaroi se tashmë skuadra po bëhet gati edhe për sezonin e ri dhe theksoi gjithashtu se pret përforcime të reja nga drejtuesit. “Jam i kënaqur që fituam këtë trofe pasi mendoj se ishte shumë i rëndësishëm, – ka thënë Cungu. – E filluam ndeshjen mirë, por nuk ditëm ta administronim në vazhdim.”
“Ndikuan edhe dy dëmtimet që pësuam dhe ne patëm një rënie të dukshme në lojë, – ka vijuar shkodrani i stolit të Laçit. – Nga ekipi janë larguar edhe disa futbollistë dhe skuadra ka pësuar ndryshime. Ne ende nuk po gjejmë dot lojtarët që janë idealë për t’i zëvendësuar. Megjithatë, ne luajtëm mirë dhe, në përgjithësi, unë jam i kënaqur nga ekipi im.”
“Mos harrojmë që luajmë ndaj një ekipi shumë të fortë si Skënderbeu që vjen nga disa ndeshje radhazi dhe po bën mjaft mirë në Evropë”, – ka thënë Cungu. Trajneri i kurbinasve ka përgëzuar edhe portierin e ri, i cili ishte dhe heroi i kësaj ndeshjeje. “Dua të përgëzoj portierin e ri Selmani i cili është një talent që ka nevojë për përkrahje”, – ka thënë ai.
“Tashmë jemi gati për nisjen e kampionatit dhe “lufta” do të jetë edhe më e fortë se sezonin e kaluar, – ka kujtuar Cungu. – U nervozova te momenti i golit të parë të Skënderbeut, pasi Berisha nuk respektoi “fair play”-in, megjithatë mendoj se ky lojtar është përmirësuar në lojën e tij ndryshe kur ishte te Besa. Laçi është ende në merkato dhe unë pres lojtarë, që nëse vijnë, do jemi sërish kockë e fortë për çdo kundërshtar.”