AlbanianSport.com 19/12/2018 20:15
ASNN – Anomali dhe surprizë, Laçi, energjia e një skuadre që vjen nga ndryshimet në stol. Në grupin e pretendentëve për titull në Kategorinë Superiore bëjnë pjesë 6 skuadra: Partizani, Teuta, Kukësi, Skënderbeu, Laçi dhe Flamurtari. Diferenca mes vendit të parë që mbahet nga Partizani me 36 pikë, ndaj vendit të gjashtë që mbahet nga Flamurtari me 28 pikë, është vetëm 8 pikë. Kjo tregon rivalitetin e madh dhe natyrisht një garë të hapur edhe në vazhdim, ku fituesi me siguri që mund të jetë edhe surprizë.
Ka një gjë që i bashkon këto ekipe dhe ajo është qëndrueshmëria e stolave. Që prej fillimit të sezonit, Partizanin e drejton vetëm një trajner, Skënder Gega. Po ashtu dhe Kukësin, të cilin e drejton që nga fillimi i sezonit Armand Cungu. Teutën këtë sezon e drejton Bledi Shkëmbi, i cili ka një ecuri mjaft të mirë. Skënderbeun, “kampion” në fuqi e ka ish-portieri i kësaj skuadre Orges Shehi, i cili po drejton për herë të parë një skuadër nga stoli. Edhe Flamurtarin e drejton i njëjti trajner që nga fillimi i sezonit, Ilir Daja, trajner me përvojë që u afrua në Vlorë për t’u kthyer një titull.
Një titull që mungon në qytetin e Flamurit prej gati tri dhjetëvjeçarësh. E vetmja skuadër që ka ndryshuar trajner nga ekipet e kreut është Laçi. Kjo është çuditshme! Laçi e nisi me Besnik Prengën, e vijoi me Artan Mërxhushin, më pas me Migen Memellin dhe së fundmi rikthim sërish tek Prenga. Të gjitha këto lëvizje në harkun kohor të 6 muajve, që i takon një trajner për çdo 45 ditë. Dhe çudia tjetër lidhet me pozicionin. Laçi është në vend të 5-të në kuotën e 29 pikëve, 7 më pak se Partizani kryesues, vetëm 3 pikë më pak se Teuta, 2 më pak se Kukësi, e një më pak se Skënderbeu.
Pra kurbinasit janë në garë për titull pas 17 javësh garë. Ky pozicion dhe ecuria e tyre bindin që mund të luftojnë deri në fund të paktën për një vend në Ligën e Evropës, por mund të lakmojnë edhe titullin. Në një kampionat ku rivaliteti është më i fortë se kurrë, Laçi mund të mos jetë thjesht “macja e zezë” e Superiores, por edhe një pretendente për titull. Dhe ky sukses vjen pasi janë ndryshuar katër trajnerë, diçka e pazakontë për një skuadër në garë. Ndryshimet e shpeshta të stolit sjellin kriza dhe ngecje, por për Laçin çuditërisht sjellin ndryshim pozitiv dhe ecuri fantastike në renditje.
Ky është, pra, një tjetër dimension surpizues i kampionatit të sivjetëm kombëtar. Një surprizë që deri tani është e bukur dhe e vështirë të interpretohet.