AlbanianSport.com 30/10/2018 08:50
ASNN – Deri dje ishte trajneri i “Hirushes”, sot Mërxhushi njoftoi se ishte “divorcuar” me Laçin. Trajneri Artan Merxhushi nuk do të jetë më në krye të stolit të Laçit. Ai vetë ka njoftuar në media se ka vendosur të tërhiqet dhe se ka shkëputur marrëdhëniet me klubin kurbinas.
Shkak janë bërë dy humbjet e fundit në kampionat, që zbritën Laçin nga vendi i tretë në vend të katërt. E çuditshme! Deri pak ditë më parë Mërxhushi konsideroi si një prej strategëve më të mirë në Kategorinë Superiore, madje trajneri i një skuadre që kishte marrë emrin “hirushe” për bukurinë e lojës dhe për efikasitetin në rezultate.
Por sot erdhi “divorci”. Nuk dihen shkaqet e vërteta të tërheqjes, por me siguri që ato lidhen me disfatat e fundit e sidomos me humbjen e fundit kundër Kukësit. Nuk dihet kush do ta zëvendësojë Merxhushin, por informacionet e para flasin për pasimin e tij nga ndihmësi, Migen Memelli.
Laçi ka 16 pikë në renditjen e Kategorisë Superiore dhe mban vendin e 4-t, 3 pikë më pak se Kukësi i vendit të 3-të dhe 7 pikë më pak se Skënderbeu i vendit të parë. Trajneri ka bërë analizën e humbjes pas ndeshjes së fundjavës me Kukësin dhe më pas është larguar, teksa dje ka munguar edhe në stërvitje, duke konfirmuar kështu edhe “de fakto” ndarjen me skuadrën e Laçit.