AlbanianSport.com 12.05.2015 20:35
ASNN – Tani që kampionati po mbyllet është konstatuar një mangësi e madhe, që lidhet me sulmuesit. Nga tetë golashënuesit më të mirë, vetëm njëri është shqiptar, të tjerët janë të huaj. të tjerët janë të huaj. I pyetur nëse kjo tregon se kampionati shqiptar, klubet shqiptare të futbollit kanë dështuar të prodhojnë elementë cilësorë në këtë repart, ish-sulmuesi i mirënjohur i Flamurtarit dhe Kombëtares kuqezi, Sokol Kushta, ka propozuar masa konkrete në ndreqjen e kësaj dukurie.
“Ky është një problem jo i vogël dhe nuk ka lidhje vetëm me sulmuesit, por me lojtarët në tërësi, – ka deklaruar ai për të përditshmen shqiptare, Gazetën “SOT”. – Kjo ndodh sepse klubet punojnë shumë pak me elementin ose me ekipet e tyre “zinxhirë”. Në vendet e tjera ka rregulla për këtë punë dhe penalizohesh nëse nuk punon me të rinjtë, por këtu presidentët nuk e kuptojnë mangësinë. Presidentët e klubeve tona janë pa formim, biznesmenë të rëndomtë apo kryetarë bashkish.”
“Pak presidentë klubesh janë seriozë dhe kjo gjendje duhet të marrë fund, – ka vijuar ai, duke folur për të përditshmen në fjalë. – Në rininë time në çdo skuadër një 18 vjeçar ishte i sigurt në fushë për secilin ekip, ishte rregull. Me lojtarë të tillë të panjohur me moshë fare të re si Shehu, Gega, Kaçaçi, Kushta, Frashëri etj, Partizani doli “kampion” e bëri bujë në ato vite. Mendoj se kjo gjë mund të rregullohet me ligj për aktivizimin e një të riu në formacionin titullar.”
“Dëgjoja dikë një ditë të fliste në televizor “kemi nxjerrë këtë e atë”, por harrojmë se asnjëri prej tyre në kampionatin tonë nuk e kap Kombëtaren, – ka kujtuar ish-futbollisti vlonjat. – Ekipin përfaqësues e kapin vetëm pasi luajnë jashtë. Në kampionat pak ekipe kanë harmoni dhe bindin, si për shmbull, Skënderbeu, por në klubet e tjera ka anarki. Ka dhe një problem tjetër, se klubet nuk deklarojnë buxhetin, gjë që më shtyn të dyshoj se presidentët i shesin ndeshjet për të mbuluar shpenzimet.”
“Edhe këtu federata mund të bëjë më shumë, duke kërkuar llogari, – ka vijuar më tej analizën e tij Kushta. – Vende të tjera e kanë zgjidhur problemin vetëm me punë. Njoh rastin qipriot, ku futbolli i këtij vendi ka pasur sukses, duke kaluar nga amator në profesionist. Këtu thonë ky është kampionati më i fortë e më i bukur i viteve të fundit. Nga doli ky përfundim? Dakord, ndeshja Skënderbeu-Kukësi, apo Tirana-Partizani e disa të tjera ishin vërtet të bukura, pati spektatorë etj, por 80 takime të tjera si ishin?”
“Nuk është e gjithë gara vetëm Tirana dhe Partizani, prandaj klubet (dhe federata me këshillat e saj), duhet të insistojnë që të punohet me të rinjtë. S’mund të bëhesh i pasur kur nuk ke investuar asgjë. Dhe investimi është vetëm tek të rinjtë”, – ka përfunduar ish-sulmuesi i mirënjohur i Flamurtarit dhe Kombëtares kuqezi, Sokol Kushta, duke folur për të përditshmen shqiptare, Gazetën “SOT”.