AlbanianSport.com 08.07.2015 09:05
ASNN – Edicioni i 11-të i turneut të futbollit, Kupës “Vllaznimi 2015” është mbyllur me kurorëzimin e ekipeve fituese për grupmoshat e Nën-17 dhe Nën-19-vjeçarëve. Për kategorinë e parë fitues u shpall Liria e Prizrenit ndërsa për të dytën Shkëndija e Durrësit. Në këtë veprimtari morën pjesë edhe 4 ekipeve femrash. Pas një maratone ndeshjesh, me pjesëmarrjen e 124 ekipeve nga Shqipëria, Ballkani dhe Evropa, është mbyllur edicioni i 11-të i turneut të futbollit, Kupës “Vllaznimi 2015”.
Në Kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës kanë zhvilluar ndeshjet eliminatore dhe ato finale ekipet e moshës deri në 17 dhe 19 vjeç. Për Nën-17-vjeçarët konkurruan 12 ekipe, ndërsa për Nën-19-vjeçarët, 8 ekipe. Në përfundim të ndeshjeve me sistem eliminimi, të cilat u zhvilluan përgjatë 3 ditëve, për Nën-17-vjeçarët, fituese e turneut u shpall Liria e Prizrenit. Në vend të dytë u rendit Partizani dhe në të tretin Drenica e Skënderajt.
Për kategorinë e Nën-19-vjeçarëve, në vend të parë u rendit shkëndija Durrës, në të dytin FC Termi i Tiranës dhe në të tretin, Valbona e Tiranës. Në këtë edicion të turneut Kupa “Vllaznimi”, konkurruan edhe 4 ekipe femrash, 3 ishin nga Shqipëria dhe një ishte “13 qershori” nga Suareka e Kosovës. Për femra fitues i trofeut u shpall ekipi i Apolonisë. Pas tij u renditën, Kinostudio dhe Dajti. Në fund u shpërndanë kupat dhe diplomat përkatëse për skuadrat fituese.
Kupa “Vllaznimi 2015” u zhvillua nën kujdesin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Bashkisë së Durrësit, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë dhe organizatorit kryesor, Sinan Idrizi. Në këtë edicion morën pjesë skuadra futbolli nga Zvicra, Suedia, Bullgaria, Serbia, Mali i Zi, Turqia, Bosnjë-Hercegovina, Greqia, Kosova, Maqedonia, etj. Ndeshjet u gjykuan nga gjyqtarë të huaj me stemën e FIFA-s nga Belgjika, Maqedonia, Greqia, si dhe Shqipëria.