AlbanianSport.com 07/01/2020 23:15
ASNN – Në sfidën e parë të gjysmëfinaleve të Kupës së Ligës Angleze, Siti mposht Junajtid 3-1 në shtëpi. Akti i parë i derbit të Mançesterit, midis Junajtid dhe Sitit, i vlefshëm për gjysmëfinalet e Kupës së Ligës Angleze është ngjyrosur me të kaltër, pasi skuadra e trajnerit Pep Guardiola ka ngadhënjyer 3-1 ndaj “Djajve të kuq”. Sikundër çdo veprimtari madhore sportive, kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, që do të ofrojë të mërkurën edhe takimin e parë të duelit tjetër gjysmëfinal, Leister Siti – Aston Vila.
2020-ta vijon me transmetimet ekskluzive të veprimtarive madhore sportive në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar dhe Kupa e Ligës Angleze ka luajtur të martën takimin e parë të gjysmëfinales, derbin e Mançesterit, midis Junajtid dhe Sitit. Ndeshja që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport, nisi me një lojë të kujdesshme të të dy ekipeve, por me një mbizotërim të lehtë të miqve. Megjithatë, është Mançester Junajtid që ndërton rastin e parë të volitshëm për shënim në minutën e 8-të.
Por depërtimi i zgjuar në fundore i Grinuudit nuk shfrytëzohet siç duhet nga sulmuesit e “Djajve të kuq”. Siti rikthehet të dominojë lojën dhe 9 minuta më pas, Bernardo Silva lëviz bukur në kufinjtë e zonës dhe, duke përfituar nga vonesa e mbrojtjes së Junajtid për ta mbyllur, godet zgjuarsisht, duke e gjetur të papërgatitur portierin De Hea dhe duke përshëndetur rrjetën. Mançester Siti vijon ta kontrollojë lojën që prej kalimit në epërsi dhe, 8 minuta më pas, ka mundësi të gjejë edhe golin e dytë.
Por në dy raste të njëpasnjëshme, Rahim Stërling shpërdoron dy herë brenda zonës, edhe për meritë të mbrojtjes vendase, që më pas largon rrezikun. Ndonëse skuadra e trajnerit Ole Gunar Solskjaerit nis të japë shenja për të reaguar, është ajo e homologut Pep Guardiola që godet sërish dhe një kundërsulm i Mançester Sitit nxjerr të lirë, edhe për një gabim të qendërmbrojtjes vendase, Mahrezin, i cili shmang edhe daljen e De Heas dhe përshëndet rrjetën në minutën e 33-të.
Gjithçka ka shkuar keq për Mançester Junajtid në pjesën e parë dhe kjo është konfirmuar edhe nga episodi i minutës së 39-të, kur goditja e De Bryjnes do të kthehet në rrjetën e vet nga futbollisti i Mançester Junajtid, Andreas, që i dhuron kështu Sitit golin e 3-të. Me Mançester Junajtid të çorganizuar dhe me Mançester Sitin që rrezikon të gjejë një tjetër gol, por me shifrat 3-0 në favor të miqve do të mbyllet pjesa e parë në mitikun “Olld Traford”.
Pjesa e dytë do të vijojë me të njëjtat shifra në 25 minutat e para të saj, por në të 70-tën, Markus Rashford ka rizgjuar shpresat në të ashtuquajturin “Teatri i Ëndrrave”, pasi ka gjetur golin e parë për Mançester Junajtid. Por ai do të jetë goli i vetëm për “Djajtë e kuq”, që shkojnë kështu në ndeshjet e kthimit, që do të luhet në fund të këtij muaji në fushën e Mançester Sitit, duke synuar të përmbysë humbjen 1-3 nëse synon të shkojë në finale.