AlbanianSport.com 05/01/2022 23:10
ASNN – Një tjetër ndeshje që ka ardhur drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar të mërkurën ka qenë takimi i parë i gjysmëfinales së Kupës së Ligës Angleze. Çellsi ka fituar 2-0, duke hedhur një hap drejt finales, ndërsa takimi tjetër i gjysmëfinales, që supozohej të luhej sot, Liverpul-Arsenal, është shtyrë.
Kështu, Çellsi hedh hapin e parë drejt finales së Kupës së Ligës Angleze, që do të luhet më 27 shkurt, teksa në mbrëmjen e së mërkures, në takimin e ardhur drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1, ka mundur Totenhemin, 2-0.
Një pjesë e parë tërësisht e dominuar nga blutë e Londrës, të cilët kanë kaluar në epërsi pas vetëm 4 minutash lojë, me anë të Kai Havertz. Në përballjen që ka shënuar rikthimin në formacion të Romelo Lukakut, për shkak të trysnisë së vendase, Dejvis shkakton në të 34-ën autogol në portën e mbrojtur nga Loris.
Me këtë epërsi të dyfishtë të Çellsit mbyllet pjesa e parë. Ndonëe Totenhemi del me një tjetër mënyrë loje nga dhomat e zhveshjes dhe ushtron presion për të gjetur të paktën një gol, por pa rezultat. Ndërkohë që në krahun tjetër Verner mund dhe duhet të kishte shënuar golin e tretë për blutë.
Sidoqoftë, 2-0 për Çellsin, që, më 12 janar në ndeshjen e kthimit shkon me moral të lartë, ndërsa Totenhemi do t’i duhet shumë punë për të përmbysur këtë disavantazh. Takimi tjetër i gjysmëfinales, që supozohej të luhej sot, Liverpul-Arsenal, është shtyrë për shkak të rasteve të shumta të infektimeve me “Covid-19”.