AlbanianSport.com 24/04/2020 20:10
ASNN – Ishte e pritshme, por tanimë ka marrë formë zyrtare. Finalja e Kupës së Gjermanisë në futboll është shtyrë pa afat për shkak të epidemisë së koronavirusit, ka bërë të ditur të premten Federata e Futbollit të Gjermanisë (DFB). Në fakt, kjo krizë ka shkaktuar pështjellime të mëdha në kalendarin sportiv anembanë kontinentit të vjetër dhe shtyrjet kanë qenë të pafundme, ndërsa së fundmi po flitet edhe për anulime.
Finalja e Kupës së Gjermanis supozohej të luhej më 23 maj 2020, por nuk do të zhvillohet në këtë datë të parashikuar, me gjithë shpresën që Bundesliga gjermane të fillojë më herët në maj. Futbolli në Gjermani është pezulluar në mes të marsit dhe masa është në fuqi të paktën deri më 30 prill. Janë dhënë edhe mundësi të ndryshme për vazhdimin e Bundesligës gjatë muajit të ardhshëm.
“Për shkak të pezullimit aktual dhe pyetjeve lidhur me atë se kur futbolli do të vazhdojë, datat për finalen e Kupës dhe dy gjysmëfinalet do të mbesin të pacaktuara”, – ka thënë DFB-ja në një komunikatë. Qeveria e Gjermanisë pritet të takohet me udhëheqësit e shteteve federale për të diskutuar lidhur me mundësinë e lehtësimit të masave. Nëse ndodh kjo, atëherë futbolli pritet të kthehet muajin tjetër.
Pavarësisht se kur do të luhet finalja, ajo do të zhvillohet pa shikues në stadium, ka thënë presidenti i DFB-së, Fritc Keller. Madje tifozët nuk do të lejohen nëpër stadiumi kur futbolli të rifillojë. Bajerni i Mynihut do të përballet me Eintrahtin e Frankfurtit në njërën gjysmëfinale, ndërsa në gjysmëfinalen tjetër, Bajer Leverkuseni do të sfidohet nga e papritur e këtij sezonit të Kupës së Gjermanisë, Sa’arbrykenin.