AlbanianSport.com 13/01/2021 23:55
ASNN – Holshten Kil eliminon Bajernin e Mynihut pas 11-metërshave, takimi erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport. Një tjetër ekskluzivitet madhor sportiv i Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, është edhe veprimtaria e dytë e futbollit gjerman, Kupa e Gjermanisë, e cila vijon të dhurojë spektakël dhe të papritura. Të mërkurën ajo ka mbyllur turin e 32-shes, duke përcaktuar edhe 16 skuadrat që vijojnë më tej betejën për këtë trofe.
Të mërkurën në mbrëmje, në kuadër të turit të saj të 32-shes, ka ardhur drejtpërdrejt kanalin RTSH Sport të platformës së transmetuesit publik edhe përballja e fundit e kësaj faze. Ky takim ka vënë përballe kampionen e Gjermanisë, Bajernin e Mynihut, dhe vendasit e Holshten Kilit, skuadrës që militon në Bundesligën e dytë. Kanë qenë miqtë ata që kanë kaluar të parët në epërsi, pas 14 minutash lojë, me anë të Serzhe Gnabrit.
Bavarezët kanë kërcënuar të gjejnë edhe gola të tjerë, por, përkundër rrjedhës së lojës, është Holshten Kili që do të barazojë shifrat 8 minuta para fundit të pjesës së parë, me Fin Bartels. Në barazim 1-1 do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa me fillimin e së dytës, në minutën e 48-të, Bajerni do të gjejë golin e dytë, me autor Lëroi Sanenë, duke u rikthyer në epërsi. Miqtë do të vijojnë në 42 minutat e mbetura të kohës së rregullt dhe ato shtesë të bëjnë detyrën, duke administruar epërsinë.
Por teksa po pritej fishkëllima përfundimtare, vendasit kanë gjetur golin e barazimit në sekondat e fundit të minutës së 5-të shtesë. Gjithçka ka shkuar kështu në dy pjesët shtesë nga 15 minuta secila, të cilat, sidoqoftë, nuk kanë dhuruar gola të tjerë dhe fjalën ia kanë lënë goditjeve nga pika e bardhë e 11-metërshve. Goditje të cilat gjithashtu kanë shkuar në goditjen shtesë, aty ku Roka gabon për Bajernin e Mynihut, kurse Bartels shënon për Holshten Kilin.
Skuadra e Bundesligës së dytë triumfon kështu 6-5 pas 11-metërshve dhe shkon në turin tjetër. Kupa e Gjermanisë ka plotësuar kështu tablon e turit të 16-shes dhe pret tanimë shortin, për përvijuar edhe betejat drejt finales së madhe, por tashmë pa fituesen në fuqi të saj.