AlbanianSport.com 30/01/2019 12:55
ASNN – Japonia u bë finalistja e parë e Kupës së Azisë pasi mposhti në gjysmëfinale 3-0 Iranin, ndërkohë, që dje ishte radha e Katarit të shpartallonte në gjysmëfinalen tjetër ekipin e Emirateve të Bashkuara Arabe me rezultatin 4-0, duke u bërë finalisti i dytë i Kupës së Azisë.
Në fakt, Emiratet luanin në fushën e tyre pasi kjo veprimtari u zhvillua pikërisht në këtë vend të pasur në Lindjen e Mesme, por organizatori i Botërorit 2022, Katari, tregoi se ka bërë progres të madh dhe e meritoi finalen, duke pasur kështu një shans për të fituar për herë të parë në historinë e tij këtë trofe të rëndësishëm të futbollit kontinental.
Në ndeshjen ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, për Katarin realizuan Kuki dhe Ali në pjesën e parë, si dhe Haidos dhe Ismail në pjesën e dytë, në një takim ku ndaj përfaqësueses vendase pati dhe një karton të kuq në fund të takimit, po edhe hedhje këpucësh e sendesh të ndryshme nga tifozeria vendase.
Ndërkohë, finalja e madhe Japoni-Katar për trofeun e Kupës së Azisë do të luhet ditën e premte, në orën 15:00 me orën e Shqipërisë. Për Katarin do të jetë një ndeshje historike, kurse për Japoninë është një gjë e zakonshme në Azi, pasi ajo e ka fituar katër herë këtë aktivitet, më shumë se çdo skuadër tjetër aziatike.