AlbanianSport.com 07/01/2019 09:45
ASNN – Stadiumi Zajed në Abu Dhabi, është ai që ka pritur ndeshjen hapëse të Kupës së Azisë, atë midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Bahreinit, që u mbyll në barazim 1-1. Ndërkaq, me ndihmën e disa lojtarëve nga diaspora, që vijnë nga Kili ose Suedia, kombëtarja palestineze po merr pjesë në Kupën e Azisë, duke shpresuar që të bëjë surpriza. Ekipi u kualifikua 4 vjet më parë për herë të parë, por u eliminua keqazi, duke i humbur të tre ndeshjet në një rezultat të përgjithshëm prej 11-1. Këtë vit, me ndihmën e disa lojtarëve nga diaspora palestineze, ata shpresojnë të bëjnë më mirë.
Rreth 5 milionë palestinezë jetojnë në Rripin e Gazës dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, por rreth 6 milionë të tjerë, jetojnë jashtë kufinjve, anembanë botës. Palestina ka në grup Jordaninë, Australinë dhe Sirinë. Kjo e fundit do të marrë pjesë në këtë turne ndërkombëtar, për herë të parë pas 8 vitesh luftë. Siria e ka luajtur ndeshjen e parë kundër Palestinës, një takim që u mbyll me rrjeta të paprekura. Kualifikimi i tyre ka ngazëllyer sirianët në territorin e mbajtur nga qeveria, por ka zemëruar tifozët në zonat rebele që akuzojnë ekipin kombëtar që luajnë për një regjim që e urrejnë.
Pjesëmarrja e ekipit në Kupën e Azisë ka rëndësi të veçantë pasi Siria mbetet një vend që e ka të ndaluar të mbajë ndeshje ndërkombëtare. Përfaqësuesja siriane do të fokusohet në mbijetesën sa më gjatë që të jetë e mundur në Kupën aziatike të sapo zgjeruar, e cila përfshin 24 ekipe këtë vit, në vend të 16 që ishin edicionin e kaluar. Ndërkaq, edhe ekipi përfaqësues i futbollit i Katarit po merr pjesë në Kupën e Azisë. Ky turne do të jetë vizita e parë nga ana e Katarit në Emiratet e Bashkuara Arabe që nga fillimi i një krize diplomatike.