Gjergj Vyshka 23.10.2014 16:05
Për trajnerin e Vorës, E. Topi, pjesëmarrja për herë të parë në Kupën e Shqipërisë ishte prestigj. “Kupa e Shqipërisë nuk ishte në objektivin tonë, – ka deklaruar ai, duke folur pas ndeshjes. – Ishte prestigj për ne pjesëmarrja për herë të parë në këtë veprimtari.
Nuk e kemi nisur mirë kampionatin, teksa kemi vetëm një pikë në dy ndeshje, – ka theksuar trajneri i periferikëve të kryeqytetit. – Këtë javë presim Albpetrolin, duke shpresuar që të kthehemi tek fitoret. Ajo që na mbetet të themi nga përballjet me Kukësin ishte marrja e përvojës nga një skuadër në një kategori më lart se sa ne”.
Ndërsa homologu i tij, trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri, ka vlerësuar lojtarët e rinj që aktivizoi në këtë takim që u luajt thuajse për formalitet. “Për ne ishte shumë e rëndësishme që jo vetëm të kalonim këtë tur të Kupës së Shqipërisë, por dhe të shihnim një pjesë të mirë të lojtarëve që kemi në dispozicion”, – ka thënë ai.
“Mbi të gjitha ata që janë pjesë e të rinjve, – ka vijuar ish-futbollisti shqiptar i përfaqësueses së Maqedonisë. – Për ne është e rëndësishme që t’i marrim turet një e nga një. Tashmë kemi një ndeshje të rëndësishme me Flamurtarin në kampionat, atje ku shpresojmë që të kthehemi tek fitoret.”