AlbanianSport.com 29.07.2015 07:05
ASNN – Ilion Lika është përforcimi më i fundit i klubit të Kukësit. Nënkampionët e Shqipërisë anë shtuar radhët me portierin 35-vjeçar, i cili në sezonin e ri do të jetë pjesë e verilindorëve. Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një komunikate për shtyp nga klubi vlonjat, ndërkohë që lojtari i është bashkuar ekipit në stërvitje. Portieri Lika ishte pranishëm në stërvitjen e djeshme që Kukësi zhvilloi në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet, në prag të ndeshjes së parë ndaj polakëve të Legias së Varshavës.
Ish-portieri i Flamurtarit dhe Tiranës është federuar nga klubi i Kukësit edhe për dy ndeshjet e turit të tretë eliminator të Ligës së Evropës ndaj Legias dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit Marselo Troisi, i cili tashmë duhet të zgjedhë se kush do të luajë titullar, mes Likës dhe moldavit Dimitri Stazhilla. Kukësi do të luajë të enjtën në “Qemal Stafa” ndeshjen e parë të turit të tretë në kuadër të Ligës së Evropës ndaj Legias së Varshavës në 20:00.
Por ajo që duhet theksuar është se 35-vjeçari është dënuar për trukim nga Komisioni i Etikës, për ndeshjet e zhvilluara ndaj Partizanit dhe Kukësit, por që në njëren prej tyre nuk ka qenë. Në vendimin e Etikës lexohet qartë: “Lojtari i KF “Flamurtari”, Ilion Lika, dënohet per komplotim ne influencimin te rezultatit te ndeshjeve FK “Partizani”-KS “Flamurtari” të dates 04.03.2015 dhe KS “Kukesi “- KS “Flamurtari” te dates 16.03.2015, në kundershtim me etiken sportive.”
Ndërkohë që lojtari akoma nuk ka përfunduar dënimin, pasi kanë kaluar vetëm 3 muaj nga pezullimi. Mbetet për t’u parë sesi qëndron çështja me këtë dënim dhe nëse ai gjen zbatim në veprimtaritë ndërkombëtare.