AlbanianSport.com 06.08.2015 16:15
ASNN – Kukësi do të jetë me mungesa sonte në ndeshjen e kthimit me Legian e Varshavës. Pas largimit në Iran të Pejiçit, të Stazhillës në Moldavi, apo dhe të kosovarit Islami, tashmë vijnë dhe dy pezullime në klubin verilindor.
Pikërisht Xheferson dhe Juliano nuk janë në 18-shen e Kukësit për ndeshjen e kthimit, sepse kanë thyer rregullat e trajnerit Marselo Troisi. Që do të thotë se dy ditë më parë ata kanë ardhur me vonesë në stërvitje dhe për rrjedhojë janë pezulluar.
Madje pritet, që pas kthimit nga Varshava të merret dhe masa e përjashtimit për të dy lojtarët. Ndërkohë në formacion është kthyer Shameti, i cili së bashku me Hasanin do të formojnë dyshen e lojtarëve para mbrojtjes, për të thyer aksionet e kundërshtarit.
Ndërkohë, janë bërë pjesë e Kukësit, Liridon Rrecaj dhe Reinaldo Rama, por që nuk janë në grupin e verilindorëve, edhe sepse nuk janë federuar në UEFA dhe, për këtë arsye, nuk do të jenë në takimin e sotëm.