Adriatik Balla 10.09.2015 14:20
Mbrojtësi i njohur vlonjat i aktivizuar dhe në disa ndeshje të Kombëtares, Franc Veliu, i ka dhënë fund “lojës” së tij me klubet, duke u bërë pjesë e Kukësit. Pas 9 sezonesh te Flamurtari mbrojtësi vlonjat është bërë pjesë e Kukësit, skuadër tek e cila do të luajë në formë huazimi nga Vardari i Shkupit deri në janar, siç lihet të kuptohet nga vetë ai në prononcimin për mediat sportive shqiptare.
“Sigurisht që është e vërtetë, unë kam patur personalisht një takim me drejtuesit e Vardarit në të cilin ka qenë i pranishëm edhe menaxheri im dhe kemi rënë dakord për të firmosur me ta, por për arsye të mosaktivizimit tim për shkak se ata kanë një limit të të huajve në ekip, u detyrova të huazohesha për 4 muaj dhe në janar do të jem pjesë e Vardarit”, – tha ai.
Veliu e pranon se për të do të jetë shumë e vështirë të mbajë veshur një tjetër fanellë në Kategorinë Superiore, pas një dhjetëvjeçar që kaloi te Flamurtari. Megjithatë ai është shumë i kënaqur që është bërë pjesë e një ekipi si Kukësi. “Normalisht është pak e vështirë, është e vështirë të ndahesh nga një ekip që ke luajtur për vite me radhë”, – ka theksuar futbollisti vlonjat.
“Por të them të drejtën nuk e prisja këtë lloj pritjeje që më kanë bërë tek ekipi i Kukësit, besoj se kam bërë zgjedhjen e duhur dhe jam shumë i kënaqur që jam bërë pjesë e kësaj skuadre”, – shtoi mbrojtësi. Përveç Kukësit, për Franc Veliun interesoheshin edhe shumë skuadra të tjerë të Kategorisë Superiore, përfshirë këtu edhe Vllazninë por mbrojtësi zgjodhi nënkampionët e Shqipërisë.
Kjo pasi beson se Kukësi i ka mundësitë për të rivalizuar Skënderbeun në garën për titullin “kampion”. “Pas largimit nga Flamurtari kam kontaktuar me ekipin e Vllaznisë. Ata më kanë bërë ofertën e tyre por unë nuk kam pranuar pasi isha në bisedime edhe me skuadra të tjera si Partizani dhe Tirana. Por zgjodha Kukësin sepse është ekipi i duhur për të rivalizuar Skënderbeun dhe skuadrat e tjera pretendente”, – theksoi Franc Veliu.
Këtë fundjavë verilindorët do të kenë përballë Teutën në “Zeqir Ymeri”. Sipas futbollistit vlonjat të verilindorëve, objektivi i formacioni që drejtohet nga braziliani Marselo Troisi është i qartë të marrë 3 pikët përballë “Djemve të Detit”. 26-vjeçari ende nuk është në formën e tij më të mirë, dhe nëse ai do të luajë apo jo ndaj Teutës për këtë do të vendosë trajneri Troisi.
“Pavarësisht kundërshtarit mendoj se Kukësi e ka të gjithë potencialin për ta kaluar me sukses këtë ndeshjen me Teutën, – tha Veliu. – Unë jam ende duke zhvilluar stërvitje të diferencuar i ndarë nga grupi, gjithsesi besoj se do të jem pjesë e 18-shes për ndeshjen me Teutën. Por do të jetë trajneri ai që do të vendosë nëse do të luaj apo jo”, – theksoi më tej mbrojtësi.
Në këtë mënyrë, merr fund aventura dhe “loja pa top” e Franc Veliut në merkato, duke zgjedhur të qëndrojë tek Kukësi, të paktën deri në merkaton e janarit të ardhëshm, me synimin që të tregojë një gjendje të mirë dhe të arrijë nivele të larta për pjesën e dytë të sezonit.