Gjergj Vyshka 07.08.2015 16:25
Marselo Troisi, trajneri i Kukësit, është shfaqur i kënaqur në konferencën për shtyp të pas ndeshjes me Legian e Varshavës. Sipas tij për Kukësin nuk ishte e lehtë për të shënuar katër gola në ndeshjen e kthimit, që do të shënonin përmbysjen e madhe të Kukësit në Ligën e Evropës.
E nëse do të ndodhte do të ishte e dyta pas asaj fitoreje të bukur me Mlladostin në Podgoricë, dy javë më parë, 2-4. “Unë jam shumë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në fushën e lojës, – ka thënë braziliani i stolit verilindor. – Sigurisht që ne nuk jemi të kënaqur që ndeshja e parë nuk u vendos në fushën e lojës, por jashtë saj.”
“Në një kohë që duhej të ishte luajtur dhe të vazhdonte aty ku dhe ishte ndërprerë, – ka vijuar ai. – Dhe një rezultat në “tavolinë” 0-3 kundër nesh ishte shumë i vështirë për t’u përmbysur në Varshavë, atje ku për ne ishte e pamundur që të shënonim katër gola. Sepse nuk ishte detyrë e lehtë për ne. Megjithatë me të gjithë paraqitjen e skuadrës në Ligën e Evropës unë jam i kënaqur.”