AlbanianSport.com 28/10/2021 20:10
ASNN – Trajneri i Kukësit dhe futbollisti Gjelbërim Taipi flasin para përballjes së të premtes. Përballja që ngre siparin e javës së 7-të të Kategorisë Superiore vë përballë Dinamon dhe Kukësin dhe për trajnerin e verilindorëve, Diego Longo, presioni në këtë takim është mbi kryeqytetasit. “E kemi lënë pas Vllazninë, dhe menjëherë pas saj, kemi nisur punën me Dinamon, – ka thënë ai fillimisht. – Pres që skuadra ime të japë maksimumin dhe pres një lojë fantastike ndaj Dinamos. Dinamo ka bërë një investim madhor pas ngjitjes në Superiore dhe natyrisht që nuk ka synim vetëm mbijetesën”, – ka vijuar italiani.
“Por ne jemi më mirë me pikë dhe presioni është më tepër mbi ta sesa mbi ne”, – ka shtuar ai. Si për trajnerin italian, ashtu edhe për futbollistin Gjelbërim Taipi, Kukësi ka spikatur për një veçori. “Nuk preferoj të bëj analizën e të tjerëve, pavarësisht se e kam analizuar Dinamon dhe e di ku i ka pikat e forta dhe të dobëta, – ka thënë trajneri i verilindorëve. – Preferoj të përqendrohem tek Kukësi dhe, nëse ka ndonjë aspekt që unë mund ta veçoj tek skuadra ime është forca e grupit dhe besoj se kjo është reflektuar edhe në lojën tonë dhe besoj se kjo na ka sjellë edhe rezultatet e deritanishme.”
“Unë e kam thënë edhe më përpara që ne nuk kemi një lojtar që përfundon ndeshjen i vetëm, – ka theksuar Taipi. – Arma jonë më e fortë është grupi. Trajneri ka formuar një grup të mrekullueshëm. Kjo na ka bërë që të jemi më të fortë. Ndeshje pas ndeshje kemi dhënë prova dhe po vazhduam kështu, do shkojnë mirë gjërat.” Longo dhe Taipi kanë vlerësuar edhe nivelin e kampionatit të këtij sezoni. “Kam pak javë këtu dhe kam parë që, ashtu siç e theksuat edhe ju, asnjëra nga skuadrat nuk kanë arritur të shkëputen, – ka thënë 45-vjeçari. – Pra, janë gjitha në të njëjtin nivel dhe, pavarësisht se mund të duket e çuditshme, nuk e fsheh se më pëlqen një gjë e tillë.”
“Kjo pasi rivaliteti të jep më shumë mundësi për synuar për kreun”, – shtoi trajneri i Kukësit. “Kampionati këtu është shumë i fortë. Deri tani janë luajtur vetëm 6 ndeshje. Më e bukura ka qënë ajo me Partizanin. Duke e njohur trajnerin e tyre, na ka vështirësuar punën. Mendoj se Partizani ka qënë kundërshtari më i vështirë”, përfundoi futbollisti Gjelbërim Taipi. Takimi Dinamo-Kukësi luhet të premten në mbrëmje, duke nisur nga ora 19:45.