AlbanianSport.com 31/05/2019 15:00
ASNN – Trajneri Ernest Gjoka e përdori ndeshjen e fundit të Superiores si “banko-provë” për të dielën. Kreu i stolit të Kukësit e pranoi se skuadra e luajti ndaj Kastriotit duke e patur mendjen tek finalja e Kupës. Ndërkaq, në përgatitje për finalen e 2 qershorit, skuadra e Gjokës ka udhëtuar drejt Elbasanit, ku edhe do të qëndrojë e do të stërvitet gjatë këtyre dy ditëve deri në zhvillimin e finales së madhe.
Kukësi nuk ka gabuar në javën e fundit të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, duke e fituar takimin ndaj Kastriotit me shifrat 3-1 dhe duke e ruajtur kështu vendin e dytë të renditjes dhe bashkë me të, edhe titullin simbolik të nënkampiones së Shqipërisë. Megjithatë, edhe vetë trajneri Ernest Gjoka e pranoi se skuadra e luajti ndaj Kastriotit duke e patur mendjen tek finalja e Kupës.
Fitorja e 17-të në 36 javë kampionat bëri që Kukësi të mbajë të hapura dy mundësi për vendin në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm. Kjo pasi verilindorët shkojnë atje edhe si të dytët në renditje, por edhe nëse fitojnë Kupën e Shqipërisë, ku në fundjavë do të përballen me Tiranën. Ndërkaq, në përgatitje për finalen e 2 qershorit, skuadra e Gjokës ka udhëtuar drejt Elbasanit, ku edhe do të qëndrojë e do të stërvitet gjatë këtyre dy ditëve deri në zhvillimin e finales së madhe.