AlbanianSport.com 23/12/2020 20:15
ASNN – Ishte ndeshja e fundit e javës së 10-të të Kategorisë Superiore, por, përkundër pritshmërive, sfida e shumëpritur midis Kukësit dhe Tiranës rezultoi një përballe kryesisht e vakët nga e cila pritej më shumë. Skuadra verilindore u shfaq disi më superiore në fragmentin e dytë të lojës, madje goditi edhe shtyllën horizontale të portës së bardhebluve, me anë të Gashit.
Në minutën e 59-të, Eze gjeti rrugën e rrjetës, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Një vendim ky i dyshimtë që “tërboi” kuksianët. Përsëritjet televiziove duket se i japin të drejtë Kukësit. Ndërkohë që, në krahun tjetër, në sekondat e fundit, talenti Ernest Muçi kishte shansit e artë për të vrarë sfidën, por e shkoi atë dëm. Sidoqoftë, të dy skuadrat duket se u pajtuan me vetëm nga një pikë.
Kështu, Kukësi dhe Tirana u ndanë në barazim pa gola në duelin midis tyre, të luajtur të mërkurën në mbrëmje në Stadiumin “Elbasan Arena” në një ndeshje relativisht të barabartë për të dyja skuadra, me Kukësin më këmbëngulës sidomos në pjesën e dytë. Takimi nisi i barabartë për të dyja skuadrat, që nuk e rrezikuan shumë portën e njëra-tjetrës.
Pjesa e parë u mbyll me qetësinë e të dy ekipeve, që më shumë qëndruan të kujdesshëm mbrapa. Në të dytën Kukësi u duk më këmbëngulës dhe rrezikoi më shumë se Tirana, sidomos me Gashin në krahun e majtë. Në minutën e 60-të, skuadra e trajneri Skënder Gega arriti të shënojë, por gjyqtari e anuloi golin për pozicion jashtë loje të Ezesë.
Kishte protesta të shumta pas këtij rasti në stolin e Kukësit, teksa vendimi i gjyqtarit anësor duket i dyshimte dhe pritet të hasë në polemika të shumta. Ndërkaq, tek Tirana Muçi u bllokua mirë në pjesën më të madhe të ndeshjes, por në fund talenti i bardhebluve të kryeqytet i kaloi golit vetëm pak centimetra larg, kur rrezikoi me një parabolë, që i nxorri jashtë loje të gjithë.
Në fund rrjeta e asnjërës skuadër nuk u tund dhe dy ekipet marrin nga një pikë, që nuk i vlen shumë për garën për kreun. Me siguri asnjëri nuk del i lumtur nga kjo ndeshje, teksa Tirana mbetet në vendin e 5-të, në kuotën e 14 pikëve, po aq sa ka edhe Laçi, që më herët mundi 2-0 në fushën e vet Bylisin. Ndërkaq, Kukësi mban vendin e dytë, tanimë në kuotën e 17 pikëve, por mbetet tanimë plot 5 pikë prapa Vllaznisë kryesuese.