Adriatik Balla 31.05.2015 11:15
Dështimi për të dytin vit radhazi në finale të Kupës së Shqipërisë, por edhe për të 3-tin sezon në kampionat, ka kthyer situatën e zymtë në kampin kukësian, ku në “gijotinë” është vënë trajneri serb Miodrag Radanoviç.
As grinta dhe dëshira e 66-vjeçarit nuk solli ndryshimin e madh te nënkampionët e Shqipërisë, që me pjesëmarrjen në Ligën e Evropës arritën objektivin minimal sezonal. Por, a do të jetë Radanoviç trajner i Kukësit edhe pas kësaj disfate?
Peshorja anon nga “jo”-ja, sepse trofeu i Kupës ishte objektivi që Gjici i kishte vënë drejtorit teknik për t’ia besuar skuadrën edhe në aventurën evropiane. Tashmë presidenca e Kukësit është vënë në kërkim të një emri të ri për drejtimin e skuadrës në Ligën e Evropës.