AlbanianSport.com 27.09.2014 10:55
ASNN – Trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri nuk e ka fshehur kënaqësinë pas fitores 1-0 që skuadra e tij arriti dje në Fier ndaj vendasve të Apolonisë, duke theksuar se verilindorët tashmë janë rikthyer në garë. “Vinim në Fier pas dy humbjeve radhazi, një me Partizani në fushën tonë dhe një me Skënderbeun kampion në Korçë”, – ka kujtuar ai.
“Dhe ishte detyrë themelore që të bënim më të mirën e mundshme për të marrë maksimalen nga ky takim, – ka vijuar shqiptari i Maqedonisë. – Dhe skuadra ka hyrë në fushën e lojës gjithnjë me mendimin për të marrë fitore e, pasi ka zbatuar me përpikëri detyrat, ia ka arritur qëllimit që të marrë tre pikët.”
“3 pikë të cilat janë shumë të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme dhe për objektivat që Kukësi ka, – ka theksuar trajneri i verilindorëve. – Mbrojtësët e mi e kanë bërë detyrën më së miri, ndërsa i kanë mbuluar pikat më të forta të sulmit fierak. Ata e ndihmuan mirë mesfushën, e cila arriti më pas që t’i jepte përparësi dyshes sulmuese.”
“Si Periç, ashtu dhe Pejiç ishin të rrezikshëm përpara portës së Apolonisë dhe dolën fitues. Më kënaq ky prezantim i skuadrës”, – ka përfunduar trajneri i Kukësit, Artim Shaqiri.