AlbanianSport.com 08/01/2019 08:50
ASNN – Kukësit po i kthehet në këtë periudhë një nga futbollistët më të mirë të tij, mbrojtësi i majtë Simon Rrumbullaku, i cili pritet të rrisë efikasitetin në repartin e prapavijës dhe t’i japë skuadrës së trajnerit Armando Cungu një shtysë për më shumë rezultate pozitive, në mënyrë që të afrohen me objektivat kryesore, atë të fitimit të titullit “kampion”.
Pikërisht këto objektiva bënë që Rrumbullaku të ketë pikëpamjen e tij për rivalitetin në garën për titull, ku ai sheh në këtë luftë me Kukësin vetëm Partizanin, duke “përjashtuar” skuadrat e tjera si Laçi, Teuta, Skënderbeu e Flamurtari që kanë gjithashtu objektiv trofeun kryesor në kampionatin shqiptar të futbollit. “Kam qenë shumë kohë jashtë për arsye dëmtimi”, – u shpreh Rrumbullaku për mediat sportive.
“Por jam rikthyer dhe ndihem mirë, mund të them që jam gati, – ka vijuar ai. – Po punojmë fort të arrijmë objektivat. Që kur kam ardhur është rritur niveli, teknologjia po na vlerëson shumë si lojtarë ku jemi. Kampionati është i fortë dhe ka konkurrencë. Për titull jemi ne dhe Partizani deri në fund. Shpresojmë të kemi edhe ekipe të tjera në garë por ne do japim maksimumin për të arritur objektivin”, – përfundoi mbrojtësi i majtë i Kukësit.