Gjergj Vyshka 11.04.2015 09:35
ASNN – 4 fitoret radhazi në 4 ndeshjet e fundit dhe sidomos ajo ndaj Skënderbeut në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë kanë rikthyer qetësinë dhe optimizmin në kampin e verilindorëve. Ata kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e së hënës në kampionat, teksa në “Zeqir Imeri”do të presin Laçin. Për fatin e mirë të skuadrës së Artim Shaqirit rikthehet kapiteni Rrahman Hallaçi, i cili tashmë e ka lënë pas dëmtimin, që e ka mbajtur jashtë fushe për disa javë.
“Kam pasur një dëmtim në pulpë dhe së bashku me stafin teknik vendosëm që të mos zbrisja në fushë në ndeshjen e fundit ndaj Skënderbeut. Kuptohet kjo për të mos rrezikuar. Gjithsesi tashmë jam gati dhe do të luaj që nga minuta e parë ndaj Laçit”, ka thënë Hallaçi, i cili e ka parë të vështirë ndeshjen e së hënës ndaj Laçit të Armando Cungut. “Kemi një ndeshje të rëndësishme. E vlerësojmë kundërshtarin për paraqitjet që ka bërë në ndeshjet e fundit, por ne jemi një skuadër që jemi ndërtuar për të fituar trofe dhe nuk e kemi frikë Laçin”, ka deklaruar Hallaçi.
Madje u bëri thirrje tifozëve që të jenë sa më të shumtë në stadium të hënën, sepse vetëm kështu Kukësi mund të fitojë dhe të ruajë kryesimin në Kategorinë Superiore. “Besoj se në këtë ndeshje incidente të tilla nuk do të përsëriten më, – ka deklaruar ai. – U bëj thirrje tifozëve të tregohen korrektë, pasi na duhet ndihma e tyre për ta mbyllur sezonin në mënyrën më të mirë. Unë kam besim se ata do ta dëgjojnë fjalën time. Mbështetja e tifozëve është shumë e rëndësishme, por ju e keni parë edhe vetë që në Kukës të lejohet të luash futboll.”
“Unë besoj se faktori fushë është i rëndësishëm por jo thelbësor”, – ka shtuar kapiteni i verilindorëve. Sakaq Hallaçi ka vlerësuar dhe faktin që Kukësi ka arritur të fitojë dhe të shënojë një gol në portën korçare duke hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit për në finale për herë të dytë. “Rezultati i ndeshjes së parë është i mirë pasi e realizuam objektivin për të mos pësuar gol. Megjithatë në Korçë na pret një ndeshje e vështirë dhe për t’u kualifikuar në finale duhet të realizojmë minimalisht një gol”, – ka përfunduar futbollisti i Kukësit, Rrahman Hallaçi.