AlbanianSport.com 15/12/2018 12:15
ASNN – Kukësi barazoi 0-0 me Partizanin, Rexhinaldo “gola” me shumicë në “Instagram”. Sulmuesi kryesor i Kukësit, mozambikasi Rexhinaldo, ishte në fushë në ndeshjen që Kukësi barazoi në kryeqytet me Partizanin, me rezultatin 0-0. Ky barazim ishte një rezultat i drejtë për paraqitjen e të dyja skuadrave dhe njëkohësisht një pikë i la të kanqur trajnerët Gega dhe Cungu, pasi ruhen pozitat e secilës skuadër në renditje.
Por ndërsa kjo ndeshje rezultoi të ishte e shpifur në kuptimin e mungesës së emocionit dhe spektaklit, sidomos për faktin se nuk pati gola dhe të dyja skuadrat bënin llogari të mos pësonin gol, duket se sulmuesit, të “zhdukur” në këtë ndeshje, ia plasin golave në rrjetet sociale. Një prej tyre është padyshim Rexhinaldo, i cili, në mungesë të golave në javët e fundit flet që tani për “Këpucën e Artë”, një paradoks më vete.
“Ne donim të fitonim ndeshjen, – shkruan Rexhinaldo në rrjetin social “Instagram”, – por nuk mundëm! Barazimi nuk ishte aspak keq. Vazhdojmë në luftën për titullin “kampion” dhe jam i sigurt se do të arrijmë. Topat nuk po vijnë, por dikush do të paguajë, është një premtim. Vazhdojmë të jemi gjithmonë të fokusuar. Unë dua të jem kampion dhe golashënuesi më i mirë i Super Ligës Shqiptare në këtë kohë. Do ta bëjmë, do ta bëj”.
Natyrisht, të gjithë e kuptojnë mesazhin e mozambikasit. Ai po provon një “thatësirë” të zgjatur dhe u bënë shumë ndeshje që nuk shënon. Ndodhet nën presion dhe këtë e pranoi dhe trajneri Armand Cungu, i cili kujtoi që Rexhinaldos i duhen golat në këtë moment, ndërsa më pas, njëlloj si kolegu i tij Gega i Partizanit, kujtoi se në merkton e dimrit do të synohet një golashënues i mirë për repartin sulmues.