AlbanianSport.com 18/02/2019 18:10
ASNN – Presidenti i Kukësit akuzon mediat për sulme ndaj klubit verilindor. Kukësi do të vazhdojë punën nën drejtimin e trajnerit shkodran, Armando Cungu. E konfirmoi këtë në konferencën për shtyp presidenti Safet Gjici, që u ndal më pas edhe tek ecuria jo shumë pozitive e javëve të fundit. Gjici kalon nga gropa “Mariane” në majën e “Everestit”: Trajneri e lojtarët s’preken, fitojmë 4 ndeshje rresht. Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, është i paparashikueshëm, sidomos kur është fjala për vendimet emocionale që i merr në darkë dhe i kthen të nesërmen në mëngjes.
Është fakt se humbja ndaj Teutës ditën e premte shkaktoi indinjatën e tij ndaj skuadrës dhe stafit dhe trajneri Armand Cungu, ka qenë në pezull për dy ditë me radhë, deri dje në orën 17:00, kur Partizani pësoi disfatë në Kurbin përballë Laçit. Humbja e të kuqve i la të dyja skuadrat në pozitat e mëparshme, duke mos ndryshuar “llogore” e për pasojë diferenca midis dy ekipeve mbetet 8 pikë. Sot presidenti Gjici doli sërish para mediave dhe i akuzoi se ia kishin shkarkuar trajnerin, në një kohë që ai i ka dhënë besim trajnerit shkodran Cungu, por edhe lojtarëve.
Madje duke thënë se nuk do të ketë gjoba, por vetëm shpërblime, pa harruar edhe “ultimatumin” e radhës, për 4 fitore rresht të skuadrës. Si duket me këto qëndrime të Gjicit është mësuar jo vetëm Cungu, por edhe lojtarët, pasi deklaratat emocionale të Gjicit, i cili kalon nga gropa “Mariane” në Paqësor (-11034 metra) në majën e Everestit në Himalaje (8848 metra), lidhen drejtpërdrejt me rezultatin. Tani që Partizani humbi dhe asgjë nuk ndryshoi në renditje, Gjici bën prapa-kthehu dhe i jep besim trajnerit dhe skuadrës.
A thua se nuk kishte ndodhur asgjë në dy ditë, ku në çdo media të shkruar dhe elektronike flitej për shkarkimin e Cungut. Gjithsesi, vetë presidenti i klubit verilindor doli sot në konferencë shtypi dhe qartësoi situatën, duke konfirmuar trajnerin Cungu në krye të detyrës. “Loja po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje, – u shpreh Gjici që në fillim të herës, – e patë vetë në Durrës që luajtëm shumë mirë, mund të na jepej një 11-metërsh, ashtu si për Teutën. Ndoshta edhe gjyqtari e humbi qetësinë. Klubi nuk ka marrë asnjë vendim për trajnerin.”
“Përndryshe do ta kishim zyrtarizuar ne, si klub, jo mediat, – ka vijuar ai. – Unë i marr vendimet pa ndikimin e askujt dhe nuk pushohet trajneri nga mediat. Kam biseduar sot me trajnerin dhe lojtarët, sepse edhe ata kanë përgjegjësi. Duhet qetësi e madhe për ndeshjet e ardhshme. Kamza nuk duhet nënvlerësuar, edhe pse renditet e fundit. I kam kërkuar Cungut të jetojë në Tiranë, nuk është normale ta bëjë vajtje-ardhje për në Shkodër. Ka pasur jo pak probleme, që do t’i zgjidhim. Skuadra është cilësore, blerjet janë të shkëlqyera.”
“Në Durrës më zhgënjeu mbrojtja, e papranueshme që humbëm ashtu, me 2 gola ne 3 minuta. Skuadra ka përvojë në gjirin e saj, disa lojtarë janë kampionë. Duhet kohë për të gjetur ekuilibrat e reja. Jemi 3 ekipe për titull, edhe Teuta, pavarësisht se sillet si “nëndetëse”. Partizani merret vetëm me ne. Kemi bërë marrëveshje me lojtarët, duam 4 fitore rresht. Nuk kam vendosur gjoba, përkundrazi, do të ketë shpërblime nëse arrijmë objektivin në ndeshet e radhës”, – ka përfunduar presidenti i skuadrës verilindore të Kukësit, Safet Gjici.