Adriatik Balla 26.05.2015 14:20
Kukësi mbylli me sukses sezonin aktual, duke u renditur në vendin e dytë në Kategorinë
Superiore dhe duke siguruar automatikisht pjesëmarrjen në turet eliminatore të Ligës së Evropës. Por kuksianët kanë dhe një mundësi për trofe, pasi ndodhen të kualifikuar në finalen e Kupës së Shqipërisë, ndeshje që do të luhet në mbrëmjen e 29 majit 2015 në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet. Gjithçka është e hapur dhe specialistët janë shprehur se shanset e të dyja skuadrave janë 50-50.
Mbetet të shihet e si do të vijojë ndeshja, ku ai që gabon më pak ka më shumë shanse për të fituar Kupën. Skuadra këto ditë ka qenë e stresuar dhe natyrisht nën presion, diktuar nga fakti se Kukësi ka qenë pranë fitimit të këtij trofeu në tre sezonet e fundit, ashtu sikurse ka dështuar të fitojë titullin kampin në Superiore, duke dalë tre herë rresht në vend të dytë. E thënë ndryshe, Kukësi kërkon trofe, do kupë për veten dhe tifozët e tij, për grupin që ka tre vjet që shpreson të kurorëzohet me një trofe të rëndësishëm.
Dhe finalja e Kupës është një mundësi e madhe. Dështuan vjet përballë Flamurtarit, por kanë shansin e madh ta fitojnë këtë edicion, pavarësisht se kundërshtari, Laçi, është shumë i fortë dhe me më shumë eksperiencë në finale të tilla. Madje Laçi duket më i motivuar, pasi e sheh kupën si shansin vetëm për të marrë pjesë në Ligën e Evropës për të larguar presionin dhe për të mundësuar suksesin, presidenti Safet Gjici ka kontaktuar me lojtarët, duke u dhënë kurajë dhe mbështetje për sfidën e mesjavës.
Ai madje ka premtuar një “thes me para” për lojtarët e tij dhe stafin teknik nëse do të realizohet fitimi i Kupës së Shqipërisë. Shifra e shpërblimit mendohet të jetë më shumë se 50 milionë lekë të vjetra, por kjo do të jetë në varësi të ecurisë së ndeshjes dhe paraqitjes së skuadrës. Gjithsesi, fakti se Gjici vë në dispozicion një shpërblim të tillë tregon dëshirën e klubit kukësjan për ta bërë të tijin Kupën e Shqipërisë dhe nëse do ta realizonin ky do të ishte trofeu i parë i rëndësishëm në historinë e klubit.
Ky trofe merr vlerë të veçantë për simbolikën që Kukësi ka treguar në këto tre vjetët e fundit në futbollin tonë, duke rivalizuar dhëmb për dhëmb me Skënderbeun