AlbanianSport.com 01.05.2015 19:50
“Kukësi nuk do të tolerojë në asnjë ndeshje deri në fund të kampionatit për të qenë i sigurt në pjesëmarrjen e saj në Ligën e Evropës”. Kështu e ka nisur prononcimin e tij kapiteni i Kukësit, Rrahman Hallaçi, i cili e ka të qartë se titulli “kampion” nuk është më në dorën e verilindorëve. “Mund të them se titulli është shumë larg pas humbjes që pësuam me Skënderbeun”, – ka pranuar ai.
“Gjithsesi do t’i marrim ndeshjet një e nga një, sepse duhet të renditemi në një vend sa më të lartë në fund të kampionatit, – ka vijuar kukësiani. – Sigurisht që objektivi kryesor mbetet Kupa e Shqipërisë”. Kapiteni i verilindorëve ka dhënë dhe mendimin e tij për deklaratën e presidentit të tij, Safet Gjici, i cili ka bërë të ditur se titulli do të jetë për Tiranën.
“Ndoshta deklarata e presidentit tonë ka qenë pak emocionale për shkak të humbjes me Skënderbeun, – ka vijuar Hallaçi. – Ai ka mendimin e tij të cilin na duhet ta respektojmë, por ne si Kukës nuk do të tolerojmë në asnjë ndeshje deri në fund të kampionatit, pastaj në fund do të shohim se cila skuadër do të shpallet “kampion”.” Në javën e 33-të, Kukësi do të presë në “Zeqir Ymeri” Apoloninë, kundërshtare që sipas Hallaçit kërkon përqendrim maksimal.
“Apolonia do të vijë për të marrë pikë në Kukës, ndaj duhet të jemi të përqendruar ndaj fierakëve. S’mund të gabojmë sërish në fushën tonë”, – ka përfunduar kapiteni i Kukësit, Rrahman Hallaçi, i cili nuk jep asnjë vlerësim as për trajnerin e ri Radanoviç e as për të larguarin Shaqiri.