AlbanianSport.com 20.04.2015 09:20
Në dy javët e fundit, Kukësi ka humbur kryesimin. Tani skuadra e Artim Shaqirit, e projektuar dhe ndërtuar me një synim të vetëm, titullin “kampion”, gjendet në vendin e dytë me 3 pikë distancë ndaj Skënderbeut kryesues. Takimi i fundjavës së ardhshme në kampionat në ”Zeqir Ymeri”, pasi skuadrat të kenë përplasur sërish “brirët” më parë në Kupë në Korçë do të vendosë shumë mbi fatin e dy pretendentëve kryesorë për titullin, por ndërkohë paradoksi i Kukësit qëndron te lidhja mes rezultatit dhe lojës.
Deri para dy javësh, kur Kukësi ishte në krye akuza kryesore në drejtim të skuadrës verilindore ishte varësia totale nga Pero Pejiç. Thënë shkoqur kritikat ishin se loja e Kukësit ishte thjesht pasim te Pejiç dhe pastaj të gjithë në dorën e kroatit, i cili deri më tani ka shënuar 25 gola, duke qenë shënuesi më i mirë i kampionatit. Ka shënuar më tepër se gjithë pjesa tjetër e ekipit, kur 48 janë në total finalizimet e suksesshme të Kukësit në kampionat.
Justifikimi i Shaqirit ishte si në këtë pjesë të sezonit i intereson rezultatin, ndërsa loja e bukur do të vinte. Paradoksalisht në takimin e fundit atë me Partizanin, trajneri i Kukësit u shfaq i kënaqur me lojën që zhvilloi skuadra e tij përballë të kuqve, duke evidentuar se Kukësi luajti në sulm dhe pati raste më konkrete, por këtë herë ishte i zhgënjyer me rezultatin. Loja apo rezultati? Në këtë pikë të sezonit padyshim që nëse do të zgjidhte Shaqiri do të preferonte pikët.
Por në fakt edhe pse i kënaqur me lojën ndaj Partizanit, paraqitja e Kukësit e pati një defekt, mungesën e finalizimit apo të goditjeve në katërkëndëshin e portës. “Strumbullari” gjithmonë mbetet Pejiç, rivalët tani e kanë të qartë pikën e referimit dhe varësia ndaj kroatit nga një problem i bekuar rrezikon të kthehet në një problem fatal për skuadrën e Shaqirit.